Shtrenjtimi i energjisë elektrike është pjesë e debatit publik tash e më shumë se një muaj. Tek tash, është lajmëruar dikush nga Qeveria Kurti që ka bërë të ditur se ka dërguar komente konsultative pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se në komentet konsultative ndaj ZRRE’së nuk e kanë kundërshtuar në tërësi rritjen prej 15 për qind të çmimit të energjisë elektrike.
Ajo ka thënë në një intervistë për RTK’në se ka kërkuar që rritja të mos i prekë konsumatorët që konsumojnë nën 800 kilovatë për orë.
“Kjo rritje e propozuar, nuk është marrë një vendim se si do të shpërndahet tek kategoritë e caktuara të konsumatorëve. Ky është vendim i ZRRE-së, të cilin kanë thënë se do ta marrin brenda dy javësh në vijim, ndërsa ne Qeveri kemi bërë disa analiza dhe kemi ndërtuar disa komente gjatë procesit konsultativ. Kemi propozuar që rritja të zbutet dhe disa kemi dhënë disa argumente se si mund të ndodh kjo. Të mos preken amviseritë që konsumojnë nën 800 kW dhe e treta që të shtohet numri i brezeve të konsumit mbi konsumin 800 kW. Pse e kemi thënë këtë? Sepse prej analizat që i kemi bërë, e kemi parë se kemi një fenomen ku një pjesë e vogël e amviserive bëjnë një konsum të jashtëzakonshëm”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Kur është pyetur lidhur me komentet e Presidencës që kundërshtojnë rritjen e çmimit të rrymës, ajo i ka quajtur këto si populizma.
“Ka edhe parti politike edhe analistë gjithandej që dalim me kundërshtime të tilla. NE duhet të jemi profesionistë dhe objektivë në analizat tona, kohat e populizmave ka kaluar. Partitë politike kanë pasur mundësi gjatë fushatës që të bëjnë parulla të tilla populiste. Koha është që të shohim të dhënat reale, çështja e çmimit të energjisë elektrike nuk është çështje e dëshirës së dikuj. Unë nuk do të komentoj mbi komentet individuale”, ka thënë ajo.