Edi Rama nuk ia ka falur dot ministres së drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, deklaratat e saj të ashpra kundër letrës së përbashkëtë të kryeministrit tonë me presidentin e Serbisë, ku të dy i kërkonin BE-së një anëtarësim pa të drejta të plota të dy vendeve në Union. Gërvalla, e cila në qeverinë e shkuar mbante postin e shefes së diplomacisë deklaroi për televizionin publik në Prishtinë se “qytetarët e Kosovës nuk kanë për t’ia falur atë artikull kryeministrit Rama, sepse krijohet përshtypja herë pas herë se, atëherë kur Vuçiçin Europa e mbështet me shpatulla për muri, del Edi Rama dhe e nxjerr nga ajo situatë”. Sikur të mos mjaftohej me këtë ministrja e kabinetit Kurti vijoi: “Nuk duhet të ketë për Shqipërinë alternativa me Serbinë që nuk kalojnë nëpër Kosovë. Rruga nga Tirana për Beograd çon nëpër Prishtinë, edhe gjeografikisht, edhe ekonomikisht, edhe në çdo aspekt. Kështu, secili kryeministër apo president shqiptar që e harron këtë, ta dini që në afatgjatë ka për të bërë gabime të mëdha që kanë për ta dëmtuar kombin tonë më shumë”.
Vetëm dy ditë pas kësaj interviste të Gërrvallës, një burim brenda ministrisë së jashtme, që kërkoi te mbetet anonim, konfirmoi për Lapsi.al se shefi i tij Ferit Hoxha, i sapo emëruar në atë detyrë është urdhëruar nga Rama që të pamundësojë çdo vizitë zyrtare në Shqipëri, për Gërvallën. Në zbatim të kësaj porosie, ministri i jashtëm Hoxha ka mbajtur të enjten një mbledhje online me ambasadorët e Shqipërisë të akredituar në vendet e rajonit.
Përpos konfirmimit për ta, se një grup vendesh anëtare të BE-së kanë bookuar raportin IBAR, duke ngadalësuar negociatat për mbylljen e kapitujve të Shqipërisë, Hoxha, që e paraqit veten si ministër teknik, nuk ka harruar tu përcjellë ambasadorëve edhe urdhrin politik të Ramës. “Si mundet të guxojë ajo të kritikojë kryeministrin tonë” ka thënë ministri i jashtëm sipas burimit të Lapsi.al, që ka qenë i pranishëm në mbledhje online. “Duhet të bëni kujdes që Gërvallës mos i krijohet asnjë mundësi për takim zyrtar në Shqipëri” ka qenë porosia që i drejtohej më tepër ambasadorit në Prishtinë Petrit Malaj.
Kundër këtij akti që e konsideroi skandaloz dhe të denjë vetëm për shtetin personal të Ramës, që i trajton ministrat dhe ambasadorët si shërbëtorë të tij reagoi edhe kreu i opozitës Berisha: “Ky argat i Vuçiçit ka urdhëruar ambasadat që të mos kenë asnjë lloj takimi me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla sepse ajo denoncoi publikisht me guxim letrën e përbashkët Rama-Vuçiç.
Arrin deri në këtë verbëri që të kërkojë mos ardhjen e saj këtu kur me shumë mundësi Donika është edhe shtetase shqiptare se, ajo ka ardhur këtu fëmijë dhe është rritur në Shqipëri”, tha ai.
Në fakt, artikulli i përbashkët me presidentin serb ka ngjallur shume reagime në botën shqiptare. Në një editorial të përbashkët në gazetaren e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” Rama dhe Vuçiç i kërkonin BE anëtarësim në Hapësirën Shengen dhe Tregun Unik, por pa të drejtë vetoje dhe pa pasur ministra në Komision dhe eurodeputetë në parlament. përmes kësaj lëvizjeje Rama dhe Vuçiç kërkonin të anashkalonin “kurthin e vetos” së ndonjë vendi të BE duke lejuar ato vende kandidate që plotësojnë kushtet të hyjnë në Tregun e Përbashkët Evropian dhe Zonën Shengen, në vend që të përpiqen për një anëtarësim të plotë politik në BE. Sipas tyre “një qasje e tillë nuk do ta rëndonte arkitekturën e vendimmarrjes së BE-së dhe nuk do të (…) ndryshonte ekuilibrin institucional të BE-së. Nuk do të përfshinte dhënien e të drejtës së vetos, komisionerë shtesë, anëtarë shtesë të Parlamentit Evropian ose ndryshime në strukturat e votimit” – argumentonin Rama dhe Vuçiç.
“Zgjerimi i pjesëmarrjes në këto korniza (Shengeni dhe Tregu i Përbashkët) për vendet kandidate të përgatitura mund të sjellë përfitime të prekshme për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Unionit”, – thuhej në artikullin tyre.
Por nëse në Tiranë kjo letër u komentua më shumë si një manovër për të mos përmbushur kriteret e forta të Brukselit, në Prishtinë ajo u kritikua si një dhënie dore për Vuçiçin, vendi i të cilit është shumë më mbrapa me negociatat edhe për shkak të qëndrimeve që mban ndaj Rusisë dhe Kosovës. Pikërisht në këtë pikë ajo u godit edhe nga Donika Gërvalla, e cila tani është “non grata” për qeverinë Rama.©Lapsi.al















