Partitë politike në Kosovë tashmë kanë hyrë de facto në parafushatë zgjedhore, duke intensifikuar lëvizjet me aderime dhe prezantime të kuadrove të reja. Aktualisht, veprimet e LDK-së kanë marrë më së shumti hapësirë mediale, sidomos pas rikthimit të Vjosa Osmanit në këtë parti.
Vitet e fundit, partitë politike në Kosovë komunikimin publik me qytetarët e kanë fokusuar kryesisht në rrjetet sociale dhe ueb-faqet zyrtare, ku publikohen strukturat drejtuese, aktet e brendshme normative dhe njoftimet zyrtare, raporton Veriu.info.
Megjithëse jetojmë në epokën digjitale, për Lidhjen Demokratike të Kosovës duket se ueb-faqja nuk është pjesë e rëndësishme e agjendës së komunikimit me qytetarët.
Veriu.info ka gjetur se ueb-faqja zyrtare e LDK-së tashmë është jashtë funksionit, pasi pagesa e domenit www.lidhjademokratike.org ka skaduar dhe domeni ka dalë në shitje nga kompanitë që menaxhojnë domenet e ueb-faqeve.
Nëse kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së fondeve apo si pasojë e neglizhencës në menaxhim nga strukturat përgjegjëse të LDK-së, ende nuk dihet. Megjithatë, është e qartë se domeni tashmë është në shitje dhe kushdo mund të aplikojë për ta blerë dhe marrë në menaxhim.
















