Nënkryetarja e zgjedhur e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje partive opozitare të reflektojnë dhe të zgjedhin deputetin Nenad Rashiq si nënkryetar.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu ka thënë se përveç konstituimit, lajm i mirë do të ishte edhe largimi i përfaqësuesit të Listës Serbe nga Kryesia e Kuvendit, shkruan IndeksOnline.
“Sot kishte mundësi që dita të përmbyllej me dy lajme të mira. Konstituimi i Kuvendit dhe largimi i përfaqësuesit të Listës Serbe nga Kryesia e Kuvendit. Por fatkeqësisht, opozita nuk pati as vullnetin dhe as guximin e nevojshëm.
Për vetëm gjashtë vota më shumë, z. Nenad Rashiq do të ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit. Shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim opozitar.
Duke e ditur që kryeterroristi Milan Radoiçiq është kryetar formal i Listës serbe, le të përbashkohemi për Kosovën dhe sidomos për nder të heronjve tanë, si Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku” shkroi Haxhiu.
Seanca e radhës ku do të vijojë zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit do të mbahet të enjten, në orën 11:00.