Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në emisionin FIVE në RTV Dukagjini, ka folur lidhur me zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re të vendit, kur kanë mbetur edhe më pak se dhjetë ditë.Ai ka thënë se nuk beson që familja Jashari duhet të përzihet në politikë, duke u shprehur se si familje duhet të mbetet e pastër dhe emblematike.
“Në historinë e re të Kosovës është familja emblematike që çdo njeri e respekton për kontributin për atë çfarë ka ndodhur në Prekaz, për luftën dhe lirinë e Kosovës, që janë pjesë e saj e pandashme të të mirave që i ka përfituar Kosova.”“Mendoj që Aleanca do ta përkrahë, mirëpo atë që mund ta them, ne kemi ofruar edhe figurën e zotit Haradinaj që është po familje emblematike…”, ka thënë ai, duke shtuar se: “Nuk besoj se familja Jashari duhet të përzihet në politikë.”
“Duhet të jetë e pastër, ashtu emblematike dhe të konsiderohet si familje e shenjtë, prandaj çdo hyrje, pa marrë parasysh të një figure të familjes Jashari në politikë, mund të them se e zbeh familjen”, është shprehur ai.












