Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po vazhdon, siç tha ai, të njëjtën qasje politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Lekaj tha se LVV nuk ka treguar gatishmëri për bashkëpunim me partitë e tjera politike.
“Sa i përket situatës politike paszgjedhore, unë mendoj që LVV po vazhdon të njëjtin avaz dhe të njëjtën neglizhencë. Nuk ka treguar që është e interesuar të komunikojë me subjektet politike, me LDK-në, PDK-në dhe AAK-në”, ka thënë Lekaj.
Sipas tij, mungesa e bashkëpunimit po e pamundëson krijimin e institucioneve të reja.
“Dhe derisa ai nuk krijon kushte të bashkëpunimit, unë mendoj që nuk është i interesuar që të krijojë institucione, por filozofia e tij politike bazohet në përçarje dhe në moskrijimin e institucioneve”, u shpreh ai.
Lekaj shtoi se, sipas tij, kjo qasje po përdoret për të zgjatur pushtetin.
“Mendojnë që me këto veprime po e zgjasin kohën në pushtet, por ka me ardh një ditë që qytetarët kanë me ua tregu se kështu nuk mund të vazhdohet”, deklaroi Lekaj.
Ai gjithashtu tha se pritja e certifikimit të rezultateve për vazhdimin e takimeve politike është, sipas tij, humbje kohe dhe një narrativë politike.
“Nëse mendoj që Kurti të vazhdojë takimet pas certifikimit të rezultateve, mendoj që është humbje kohe, sepse certifikimi i rezultateve nuk e rrit përqindjen e asnjë subjekti politik. Mendoj që është një kamuflim politik për të krijuar narrativën se po pritet certifikimi”, përfundoi Lekaj.













