Në seancën e sotme gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt, dëshminë e tij para trupit gjykues e ka dhënë vëllai i saj, Leonard Ademaj, i cili ka përshkruar në detaje reagimin e familjes pas ngjarjes dhe dëshminë e fëmijëve të Liridonës për natën kritike.
Ai tregoi se kishte udhëtuar në Suedi për të takuar fëmijët e motrës së tij dhe për t’i pyetur për atë që kishin parë. Deklaratat e tyre, sipas tij, janë tronditëse.
“Kur kam shkuar në Suedi kam kërkuar që t’i takoj. Fjalët e djalit janë këto: ‘Hajni e ka futur dorën dhe ja ka ba mamit bam’. Po ashtu tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes,” tha Leonardi.
Ai shtoi se pas zhvendosjes në Suedi, fëmijët nuk kanë kërkuar më asnjë kontakt me babanë e tyre, Naim Murselin, të akuzuarin kryesor për vrasjen.
“Që nga momenti që fëmijët kanë shkuar në Suedi, ata asnjëherë nuk kanë kërkuar as takim me babin. Të gjitha thirrjet që ja ka mundësuar gjendja për punë sociale me babin e tyre, asnjëherë fëmijët nuk i kanë pranuar. Ka arritur deri aty që fëmijët, në foto ku janë së bashku Naimi me Liridonën, e shkyen me gërshërë Naimin nga fotografia,” dëshmoi ai.