Liderët evropianë kanë realizuar një vizitë të përbashkët në Kiev, Ukrainë të shtunën, duke i dhënë një ultimatum presidentit rus, Vladimir Putin: të nënshkruajë armëpushim pa kushte deri të hënën, ose të përballet me sanksione dhe transferim të armëve në Ukrainë.
Liderët e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, bashkë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë pasur një telefonatë të përbashkët me presidentin amerikan, Donald Trump, para se ta bënin njoftimin, raporton “The Guardian”, transmeton Nacionale.
“Të gjithë ne këtu, bashkë me ShBA-në, po i bëjmë thirrje Putinit. Nëse është serioz për paqe, atëherë ka mundësinë që ta tregojë këtë tani” – ka thënë kryeministri britanik, Keir Starmer në një konferencë për media.
Ai ka shtuar se liderët po kërkojnë “armëpushim të pakushtëzuar, refuzim të kushteve të Putin dhe se janë të qartë që nëse ai i kthen shpinën paqes, do të përgjigjen duke punuar me presidentin Trump, me të gjithë partnerët, do të vendosin sanksione dhe do ta rrisin ndihmën ushtarake në mbrojtje të Ukrainës”.
Starmer, Macron dhe Merz arritën në kryeqytetin ukrainas në të njëjtin tren gjatë mëngjesit të së shtunës, ndërsa Tusk udhëtoi me një tren tjetër.
Kjo është vizita e parë e Macron në Kiev që nga vera e vitit 2022, dhe e para e Merz si kancelar i Gjermanisë, detyrë që e mori këtë javë.