Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar rikthimin e Fatmir Limajt në Kuvend, duke thënë se pa përfshirjen e Nismës, AAK nuk do të kishte arritur të kalojë pragun zgjedhor në zgjedhjet e fundit.
Këtë e ka komentuar deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili i kritikoi fjalët e Kurtit. Sipas Haradinajt, Kurti është duke “iu servilosur” Limajt.
“E para është kryeministër, shumë më mirë do të ishte me u marrë me përgjegjësitë që i ka marrë edhe si kryetar i VV-së, edhe si përgjegjës për nominimin e kryetares së Kuvendit. Më shumë do t’i bënte nder vetit kryeministri po që se do ishte i fokusuar drejt kësaj teme. Dhe nuk do ta kishte terrorizuar shoqërinë me 20 seanca, duke e ditur epilogun. Kur Kosova thuajse është në një gjendje shumë kritike…
Dhe kryeministri del aty si falltore, e na tregon se kush kujt i ndihmoi. Mendoj që nuk është punë e tij. Është një servilosje ndaj zotit Limaj, pas 20 vjetësh ofendime, sharje e akuza që i ka bërë vetë zoti Kurti”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.