Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se në rast se deputetët nuk arrijnë të zgjedhin kryeparlamentarin brenda afatit 30-ditor, duhet të krijohet mundësi për të tjerët që të propozojnë kandidatë dhe nëse edhe pas 60 ditësh nuk ka rezultate, 120 deputetët aktual duhet të de-certifikohen.
“Gjykata Kushtetuese nuk është një xhelat atje. Ajo është pjesa më e rëndësishme e mbrojtjes, e ruajtjes, e funksionimit juridik e ligjor të këtij vendit. Ata njerëz me aktgjykimin e kanë pas parasysh këtë interes dhe e kanë marrë. Prandaj e vlerësoj. Dhe shpresoj që ta kemi pasojën juridike.
“Unë mendoj se këtu duhet më ua dhënë rastin të gjithë deputetëve. Nëse nuk zgjidhet as te i dyti, atëherë neve duhet me na i marrë e drejta e deputetit. Edhe nëse edhe 30 ditë i kanë deputetët dhe nuk kanë shumicë. Tani krijohet një opsionin publik tjetër opinioni publik e sheh e dinë që këta 120 deputetë nuk janë në krye të detyrës. Nuk meritojnë me qenë në Kuvend, këta e kanë keqkuptuar përfaqësimin e popullit. Dhe gjykata me të drejtë mundet me i de-certifiku këta. Dhe me ua jep mundësinë atyre mbrapa nesh, në pritje, edhe 60 ditë. Nëse edhe aty nuk funksionon, atëherë gjykata duhet të çoj vendin në zgjedhje”, ka thënë Limaj në TV Dukagjini.
Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar përsëri deputetët e Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, këtë herë duke dhënë udhëzime më të qarta.
Deputetët duhet të formojnë Kuvendin brenda një afati 30-ditor dhe të zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimi të hapur, me mundësinë që i njëjti kandidat të hedhë në votim jo më shumë se tri herë.