Shkruan: Lirim Mehmetaj
Kur para disa vitesh e pata lexuar në librin e Sir Ivor Anthony Roberts se Slobodan Millosheviç e donte Veton Surroin për kryeministër të Kosovës dhe më pas edhe në librin e Warren Zimmermann se si Surroi në një takim me sekretarin amerikan të shtetit, Lawrence Eagleburger, në Ambasadën Amerikane në Beograd, me 26 shkurt të vitit 1990, i kishte thënë se shqiptarët nuk janë të interesuar për pavarësi, isha shtangur dhe nuk e kuptoja dot pse politika dhe shqiptarët i dhanë jetë publike këtij personi edhe pasluftës së fundit në Kosovë.
Megjithatë, në kohën kur isha takuar me këto dy fakte për këtë njeri, ai ishte tretur si karakter politik meqë s’kishte arritur ta kalonte as pragun me partinë e tij “Ora”, derisa kohë pas kohe shfrytëzonte mediumin e së motrës për ndonjë tekst aty-këtu, por që s’paraqiste vlerë si përmbajtje e as zhurmë si publicistikë.
Më pas do lexoja edhe pak nga shkrimet e tij sa për të krijuar një përshtypje se ai përbënte një anëtar të një grupi që ishte akomoduar në sistemin jugosllav me mundësinë e çilatjes familjare derisa pjesa më e madhe e shqiptareve jetonte në burgun kolektiv.
Regjimi ua kishte mundësuar të jenë “zezakët e kuzhinës” bashkë me disa familje të tjera dhe kaq u mjaftonte Surronjëve, normalisht me çmimin e degjenerimit kombëtar.
Sikur Veton Surroi të vazhdonte të mbetej një gërmadhë jugosllave unë nuk do të mësoja më shumë për të e natyrshëm as ky shkrim nuk do të shkruhej ndonjëherë. Do ta ekspozoja thjesht si një Esat Pashë që s’e kuptoi kur po shembej “perandoria” që ëndërronte ta bënte pasha dhe kaq.
Por, siç ka thënë njëherë At Zef Pëllumbi “asht i mjerë ai popull që nuk ia del me zotnua bijtë e vet të këqij”, dhe me gjasë shqiptarët nuk e kanë këtë zotësi.
Përmes Albin Kurtit kryeministër, Veton Surroi, ky bir i keq i popullit, u kthye. Po përsëri si “zezak kuzhine”.
Ai sot është këshilltar i kryeministrit të Kosovës dhe nuk është Surroi i vetëm në atë kabinet.
Prandaj, edhe unë iu riktheva për të rilexuar çfarë e kisha të njohur për të, pa e ditur se ajo çfarë do të gjeja ishte shumë më e errët se dijet e mia fillestare.
Në tekstin më poshtë (të cilin për shkak të formatit më është dashur ta shkurtoj kaq shumë herë) do të mund të lexoni se si Veton Surroi akuzonte shqiptarët se po i dëbojnë serbët e malazezët nga Kosova; gënjente ndërkombëtarët se në Kosovë s’ka problem etnik, por është çështje e demokracisë në Serbi; akuzonte minatorët si irredentistë shqiptarë që duan bashkim me Shqipërinë; gjykonte ashpër intelektualët e huaj kur kërkonin Republikë për Kosovën; takohej fshehurazi me njerëz si Mihajlo Markoviç në Beograd, krahun ekstrem të partisë së Millosheviç-it, ofendonte fshatarët shqiptarë, shkruante se çfarë gabim i madh është të kërkuarit pavarësi: thoshte se shqiptarëve s’iu duhet shteti; bënte lojë të dyfishtë në Rambuje dhe shumëçka tjetër.
I njëjti, tani shfaqet në televizor në emër të Qeverisë së Kosovës dhe na tregon se si i kemi punët në politikë, çfarë marrëveshje të pranojmë, sa tokë t’u lëmë kishave serbe në Kosovë e sa të gjerë t’ua japim autonominë serbëve të Kosovës.
…
Në fillim të viteve 90-ta në Serbi kishte ardhur nga Amerika një biznesmen amerikano-serb me emrin Milan Paniç. I suksesshëm si ndërmarrës, amerikan i natyralizuar dhe me qasje liberale, Paniç përbënte një serb më të pranueshëm për perëndimin që kishte pakënaqësitë e veta me Millosheviç-in. Por, Paniç s’vinte si kundërshtar i Millosheviç-it dhe nuk shihej si i tillë as nga ai vetë. Prandaj, në korrik të vitit 1992, Paniç merr postin e Kryeministrit të Republikës Federale të Jugosllavisë, me kërkesën e Presidentit jugosllav, Dobrica Çosiç dhe presidentit serb, Sllobodan Millosheviç.
Më vonë, për arsye të disa dallimeve politike, këta të dy u sulmuan nga Millosheviç dhe Paniç vendosi ta sfidojë Millosheviçin në zgjedhjet e 19 dhjetorit 1993.
Në këtë kohë Lidhja Demokratike e Kosovës refuzonte të bëhej pjesë e zgjedhjeve, sepse tashmë ishin shpallur institucionet paralele të Kosovës së pavarur dhe pjesëmarrja eventuale në zgjeshje do ta delegjitimonte gjithë procesin duke hequr dorë nga një arritje që ishte përtej simbolike dhe në anën tjetër do ta legjitimonte aparteidin që politika serbe ushtronte mbi shqiptarët e Kosovës.
Qëllimi i shqiptarëve ishte ndërkombëtarizimi i çështjes në atë formë që perëndimorët ta trajtonin Kosovën si një problem me Serbinë dhe jo si një problem i Serbisë.
Paniç, meqë i duheshin votat për të dhe kundër Millosheviç-it, kishte provuar ta bindte Ibrahim Rugovën që të bëhej pjesë e procesit zgjedhor duke i premtuar atij se do të rishqyrtonte politikat agresive të deriatëhershme.
Takimet me Rugoven Paniç i ka dokumentuar edhe në një libër të shkruar bashkë me Kevin C. Murphy, për jetën e tij dhe karrierën e shkurtër në politikën jugosllave.
Në librin “Kryeministër për Paqe – sfida ime për demokracinë në Serbi”, Paniç shpalosë udhëtimet e tij drejt Prishtinës në tentimet për ta bindur Rugovën që të bëhet pjesë e zgjedhjeve.
“Fluturova vetë drejt Kosovës për bisedime me Rugovën”, tregon Paniç. “I përkushtuar për ta bindur, publikisht lartësova liderin shqiptar dhe pranova të gjitha kërkesat e shqiptarëve përveç shkëputjes”.
“Dr. Rugova dhe unë do ta demokratizojmë sistemin jugosllav”, kishte deklaruar Paniç dhe kjo po ndodhte në kohën kur Millosheviçi praktikisht sundonte me ligj ushtarak në Kosovë.
“Në bisedat private, luta shqiptarët që përbënin 90 për qind të 2.1 milionë banorëve të Kosovës, të marrin pjesë në procesin politik në mënyrë që ta mposhtim Millosheviç-in në zgjedhjet e ardhshme. Blloku i votave shqiptare do të përbënte diçka vendimtare”.
Por, Rugova, siç e thotë edhe Paniç, i njohur mirë me “trikat serbe” kishte refuzuar.
Me shpresën se herën e dytë do të ketë sukses, Paniç ishte rikthyer në Kosovë i përgatitur për të bërë një njoftim dramatik: rivendosjen e autonomisë për provincën e Kosovës në hapat e “sovranitetit të limituar” të Titos.
“Krejt çka më duhej ishte një tundje koke pohuese e Rugovës. Por, Rugova më kundërshtoi”, kujton Paniç në libër.
Ngjarjen, njëjtë si Paniç, e kishte treguar më vonë edhe David Owen, ish-sekretar për marrëdhënie me jashtë i Britanisë që në takim përfaqësonte Bashkimin Evropian dhe shoqërohej edhe nga Cyrus Vance, përfaqësues i OKB-së.
Owen shkruante se “e lutëm Rugovën ta ri-konsideronte vendimin e tij, por ishte në disponim secesionist (për ndarje). Shqiptarët më s’ishin të interesuar në një të ardhme në Jugosllavi”.
Koha do të tregonte se Rugova kishte të drejtë. Edhe ashtu, zgjedhjet do të kontrolloheshin krejtësisht nga Millosheviçi.
Sikur Rugova të pranonte pjesëmarrjen në zgjedhje, ai do të validonte një realitet fiktiv që proklamonte Millosheviçi. Pjesëmarrja në zgjedhje do të nënkuptonte se shqiptarët e pranojnë se ka mjete demokratike për të garuar politikisht dhe do të përgënjeshtronin atë që deri atëherë kishin deklaruar.
Për më tepër, del se në një mendje me Rugovën ishin edhe vetë Amerikanët. Paniç e pranon në libër se ai kishte provuar të intervenonte te amerikanët për ta bindur Rugovën, por ata realisht s’ndërmorën asnjë hap.
Qëndrimi zyrtar amerikan ishte që shqiptarët të marrin pjesë në zgjedhje, por Paniç zbulon se si zëvendës-sekretari amerikan i shtetit në atë kohë, Lawrence Eagleburger, s’i kishte ndihmuar fare, madje penguar, që të bindte Rugovën.
“I shkrova Eagleburger-it”, tregon Paniç. “Nëse do që të na ndihmosh, më duhet të kërkoj që të përdorësh lidhjet e tua të mira për t’i lutur liderët shqiptarë që të marrin pjesë në jetën politike në Serbi dhe Jugosllavi përmes procesit zgjedhor, më duhet pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet. Por, Eagleburger veçse hidhte bllokada rrugës. Mbeta i hutuar”.
“Inkurajimi i shqiptarëve që të marrin pjesë në jetën politike ishte kërkesë që nuk e bën amerikanët”, është përshkrimi i Paniç në librin e botuar në vitin 2015.
Vendimi për bojkot total të jetës politike nga LDK-ja nuk vinte thjesht nga një intuitë politike. Por, sinjali më i qartë që mund të jepnin për ndërkombëtarët ishte largimi i plotë nga jeta institucionale që tashmë ishte jo legjitime dhe e mbivendosur dhunshëm.
Kjo është një pikëpamje që mbështetet nga shumë studiues të rezistencave civile nën okupim. Historiani francez, Jacques Sémelin, në studimin e tij të lëvizjeve për rezistencën nën okupimin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, sugjeron se në të gjitha rastet ekziston vetëm një aksiomë e përgjithshme – “dinamika kreative e rezistencës derivon, mbi të gjitha, nga inicimi dhe deklarimi i aktit të mospjesëmarrjes në procesin politik”.
Ai thotë se akti themeltar i procesit të rezistencës kundrejt okupimit është “pranimi i superioritetit de jure që e ka okupatori”, sepse ashtu ia de-legjitimon pushtetin.
“Sa më shumë që çështja e legjitimitetit është e paqartë, aq më pak gjasa rezistenca civile për t’u zhvilluar”, shkruan Semelin.
Rugova, njëjtë, donte ta bënte të qartë se shqiptarët janë të përjashtuar nga jeta politike në Serbi.
Edhe studiuesi i rezistencave civile jo-violente, Howard Clark, mbështet strategjinë e mirë-menduar të bojkotit politik.
Ai në librin e tij “Rezistenca Civile në Kosovë” shkruan se “argumenti strategjik mund të ndryshojë në një fazë të mëvonshme, por në këtë fazë të hershme (ku ishin shqiptarët në Jugosllavi) çështja është shpallja – dhe në të vërtetë denoncimi – i krimit”.
Dhe kjo, shkruan ai, bëhet “parimisht për një audiencë ndërkombëtare”, por edhe mundëson “mobilizim të brendshëm të popullit”.
“Kjo nuk bëhet për të mohuar vlerën e ndonjë lidhje, apo bashkëpunimin me grupe opozitare në shoqërinë serbe, por ofrimin e perspektivës në prioritetet strategjike”, është frazimi i Clark.
Në të njëjtën libër ai flet edhe për ofertën e Paniçit për Rugovën, për të cilin thotë se s’kishte kurrfarë fuqie për të fituar, aq më tepër nuk ishte serioze.
Por, përkundër Rugovës që refuzonte kategorikisht zgjedhjet; amerikanët që nuk i bënin presion për të vepruar ndryshe; teoricienët që sugjerojnë bojkotin dhe studimeve që e nxjerrin si “aksiomën e vetme”, Kosova kishte edhe lojtarë të tjerë politik që po luftonin për të kundërtën.
Gjysmë-publicisti dhe gjysmë-politikani Veton Surroi po bënte betejë për t’i bindur shqiptarët që të marrin pjesë në zgjedhje.
Surroi me 29 tetor 1993 shkruante në gazetën serbe “Borba” (gazetë që sidomos nga 1994 ishte në shërbim të plotë të Millosheviç-it) se ajo çfarë po bënin shqiptarët – me strukturat paralele dhe shkëputjen nga sistemi politik i Serbisë – ishte “bisedë vetë me vete”.
Ai, gabimisht, përqeshte përpjekjen shqiptare për pavarësi nga Serbia/Jugosllavia si diçka të pa-efekt dhe sidomos deklarimet e LDK-së se “shqiptarët nuk do të marrin pjesë në këto zgjedhje, pasi që ata i kanë mbajtur zgjedhjet e tyre dhe përmes referendumit kanë shprehur vullnetin e tyre për pavarësi”.
I vetëdijshëm se nuk ekzistonin as kushtet më elementare për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, Surroi ftonte për pjesëmarrje.
Kështu, shkruante ai, bëhet “forcimi i demokracisë në Serbi” dhe shqiptarët “duhet të ndihmojnë në këtë rrugëtim”.
Surroi në këtë shkrim provon edhe një dredhi, duke u thënë shqiptarëve që edhe nëse janë përfundimisht për shkëputje nga Jugosllavia dhe pavarësi të plotë, atëherë këtë ta bëjnë përmes pjesëmarrjes si deputetë në Parlamentin e Serbisë – “prandaj duhet të marrin pjesë në zgjedhje”.
Por, shkrimet e hapura për këtë veprim politik që s’e përkrahte asnjë forcë e rëndësishme politike shqiptare, ishin vetëm një nga metodat e operimit të Surroit.
Ai nuk hiqte dorë.
Më vonë do kuptohej se edhe pas këtyre zgjedhjeve Surroi kishte organizuar takime me njerëz të afërt të Sllobodan Millosheviç-it në përpjekje për t’i bërë shqiptarët që të braktisnin formën paralele të funksionimit dhe të rikthehen në sistemin politik të Jugosllavisë, për ta legjitimuar politikën e Millosheviçit.
Për një takim të tillë flet edhe Zoran Stijoviç, ish-shef i Sigurimit të Shtetit në Kosovë, në librin e tij “Kosova – dëshmia ime”.
Në faqen 54 të librit Stijoviç tregon shkurtimisht për një takim të fshehtë që Surroi kishte pasur me Mihajlo Markoviç në Beograd.
“Ne qershorin e 1994, takimi joformal ndërmjet funksionarit të lartë të SPS-së Mihajlo Markoviç dhe Veton Surroit e Gazmend Pulës në Ambasadën e Zvicrës në Beograd shkaktoi reagime të bujshme negative të faktorit shqiptar, me akuzat se ata janë bashkëpunëtorë të qeverisë së okupatorit”, shkruan në librin e tij me kujtime Stijoviç.
Surroi s’e ka mohuar këtë takim asnjëherë.
Përveç se takim jo formal në Beograd, ai po zhvillohej me Markoviç-in, krahun radikal të partisë së Slobodan Millosheviç.
Një nga mbështetësit më të flaktë të linjës së ashpër të Millosheviç-it, Markoviç është edhe bashkë-autor i Memorandumit famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë.
Ky memorandum, që për shumë kë është arsyeja e luftërave në ish-Jugosllavi, formulonte qëndrime se si serbët janë të diskriminuar brenda Jugosllavisë dhe se zhvillimi i Serbisë ishte minuar për favorin e pjesëve të tjera të Jugosllavisë.
Memorandumi pretendonte se Republikat e tjera kanë lulëzuar në kurriz të Serbisë.
Ai dokument i paraqiste serbët në Jugosllavi si viktima dhe të tjerët si përfitues në dëm të serbëve.
Në një fabrikim të jashtëzakonshëm të numrave dhe në shpërfillje të plotë të fakteve historike, memorandumi akuzonte shqiptarët për torturimin e serbëve që çoi deri në eksodin e tyre nga Kosova.
Në një pjesë të memorandumit thuhet se vetëm pas luftës së dytë botërore “mbi 200 mijë serbë janë detyruar të largohen nga Kosova”.
“Jo vetëm që mbetjet e fundit të kombit serb po largohen nga shtëpitë e tyre me një ritëm të pandërprerë, por sipas të gjitha dëshmive, të ballafaquar me një sundim fizik, moral dhe psikologjik të terrorit, ata duket se po përgatiten për eksodin e tyre përfundimtar. Nëse gjërat nuk ndryshojnë rrënjësisht, në më pak se dhjetë vjet nuk do të ketë më asnjë serb në Kosovë dhe do ketë një Kosovë ‘etnikisht të pastër’, që është synim i deklaruar qartë i racistëve të mëdhenj shqiptarë”.
Autor i këtyre rreshtave ishte pikërisht Markoviç, me të cilin takohej jo formalisht Surroi për të diskutuar rreth planeve të përbashkëta të futjes së shqiptarëve në sistemin politik.
Aq i rëndë ishte memorandumi i punuar nga Markoviç, saqë fillimisht, kur do të publikohej në vitin 1986, përveç se do ta denonconte Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, kundër tij do të dilte edhe vetë Slobodan Millosheviç, që publikisht do ta quante “asgjë më shumë se nacionalizëm i errët” dhe po ashtu edhe Radovan Karaçiç, do deklaronte se “bolshevizimi është i keq, por nacionalizimi akoma më i keq”.
Kur Millosheviç më pas vendosi të luajë me kartën nacionaliste, ai do ta shndërronte këtë plan në programin e tij politik.
Nuk dihet se ku dhe kur fillon lidhja e Surroit me Markoviç-in, por influenca e tij te Surroi vërehet edhe në shkrimet e këtij të fundit.
Formulime të ngjashme si të Markoviç-it në Memorandum për fajësimin e shqiptarëve për largimin e serbëve gjenden në shkrimet e Surroit në gazetat e kohës.
Vargjet janë pothuajse të ngjashme.
Njëjtë si Markoviç që akuzonte shqiptarët për terror ndaj serbëve dhe detyrimin e largimit të tyre nga Kosova, ashtu shkruan edhe Veton Surroi në disa artikuj në gazetën Rilindja.
Kjo gjuhë vërehet për shembull në tekstin e 3 prillit të vitit 1988 ku Surroi shkruante se “është hetuar dhe paralajmërimi edhe aplikimi praktik i dhunës i nacionalistëve shqiptarë për realizimin e Platformës së vet politike, çka solli pasoja të rënda në marrëdhëniet ndër-nacionale, në dëm të të gjitha nacionaliteteve”.
Në replikën e tij të famshme me intelektualin kroat Branko Horvat, Surroi, njëjtë si memorandumi i SANU-s dhe më vonë Millosheviç-i, akuzon shqiptarët për militantë nacionalistë dhe shkruan se “rreth ideologjisë së shtetit kombëtar janë tubuar këto forca militante nacionalistësh”.
Momenti kur shkrimi i Surroit “Horvati në politik” përdorë fraza gati se identike si ato të SANU-s është kur ai akuzon këta nacionalistë shqiptarë për “shpërngulje me presion të serbëve dhe malazezëve nga Kosova”.
Një fjali si kjo mund të gjendet edhe në pjesën e dytë të Memorandumit të SANU-s, me titull “Statusi i Serbisë dhe kombit serb”, ku autorët thonë se po ndodhë “Persekutimi dhe dëbimi i pandërprerë i serbëve nga Kosova”.
Edhe aty, në pjesën më të madhe të tekstit flitet për “nacionalistët shqiptarë” dhe “nacionalizimin e egër shqiptar” që po spastron Kosovën nga serbët.
Fatkeqësisht, diçka me tone më të buta, shkruan edhe Surroi në disa raste, sikur për shembull te artikulli i 3 prillit të vitit 1988 kur thotë se “nacionalistët shqiptarë duke manipuluar me parullën rreth statusit të Kosovës dëmin më të madh ia sollën mu kësaj Krahine”, kur flet për “shpërnguljen me presion të serbëve dhe malazezëve nga Kosova”.
Në të njëjtin artikull, replikën kundër Horvat-it, profesor dhe doktor i shkencave ekonomike, i njohur për një racionalist puritan, Surroi vendoset kundër idesë së shteti të Kosovës, nën arsyetimin se kjo është një kërkesë nacionaliste.
Horvati në atë kohë, kishte botuar një libër me titull “Çështja e Kosovës”.
Aty ai argumenton pro të qenurit Kosova Republikë dhe e sulmon argumentin e deriatëhershëm se “Kosova s’mund të ketë Republikë brenda Jugosllavisë, meqë shqiptarët tashmë e kanë një Republikë amë – Shqipërinë”.
Horvati jep tezën e ndërrimit të statusit të Kosovës nga Krahinë Autonome në Republikë, por Surroi e sulmon ashpër duke i thënë se kjo kërkesë e tij çon në drejtim të konfederalizimit të Jugosllavisë dhe ia kujton Horvatit se edhe ai ishte kundër njëherë.
Ne fund, Surroi kërkesën e Horvatit për Kosovën Republikë përmes librit të tij e quan “iluzion” dhe shprehet i “habitur me tezat e tij”.
Surroi këtë pretendim të tij të “iluzionit” në një format tjetër, e shtjellon edhe në një tekst autorial të 1 majit 1988 në gazetën Rilindja.
Në shkrimin “Iluzioni i Shtetësisë”, Surroi akuzon “nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë” se po mashtrojnë njerëzit kur po u thonë se “Kosova Republikë” është zgjidhja për problemet e tyre.
Shkrimi provon që të fshihet pas termave gjeneralizues, por megjithatë në shumë vende Surroi e thotë troç mendimin e tij kundër të pasurit një shtet kombëtar të shqiptarëve në Kosovë.
Dilema e shtetësisë, shkruan Surroi, është “absurde… për një njeri sipërfaqësisht të informuar”.
Kjo “dilemë” që Surroi thotë të jetë “artificiale” tek shqiptarët vjen, shkruan ai, nga “pikënisja e platformës politike të nacionalizimit dhe irredentizmit shqiptar me 1981 (e sipas veprimit të organizuar nga këto pozita dhe sipas mbresave në një pjesë të vetëdijes shihet prania edhe sot) që shtetësia kombëtare në formën e parullës ‘Kosova Republikë’”.
Surroi elaboron në këtë artikull se ideja e prezantuar nga nacionalistët shqiptarë (këtu bënë edhe një krahasim me nacionalistët serbë) se shteti kombëtar ua zgjidh problemet “është një iluzion”.
Madje argumenti në këtë drejtim, thotë Surroi, vjen nga një “rezonim në nivel fëmijëror”.
“…sikundër mund ta vërtetojnë filozofët që shkruan për marrëdhëniet shtet-njeri. Natyrisht, fjala është edhe për ngarkesën emocionale të krijuar për të orientuar vëmendjen e njeriut të rëndomtë nga një lloj shkopi magjik, i cili rezonin do të duhej ta sillte përafërsisht në këtë nivel fëmijëror: Unë kam probleme, njerëzit që janë përreth meje e janë të së njëjtës përkatësi kombëtare kanë probleme – problemet do të zhduken në momentin kur të formohet shteti me ngjyrat etnike të cilave u përkas”.
Pra, Surroi përqeshë vetë idenë e shtetit kombëtar për shqiptarët dhe këdo që e mendon si zgjidhje e problemeve të një populli.
Ai merret me këtë çështje, siç e saktëson, për ta sqaruar sa i pavërtetë është konstatimi, derisa thotë se pretendimi po prezantohet si “gjoja interes”, por s’është fare i tillë.
Këtu ai edhe devalvon rëndësinë kombëtare duke cituar krejt pavend filozofin francez Montesquieu se “është njeri, e rastësisht francez”.
Surroi vazhdon duke thënë se ata nacionalistë shqiptarë që e duan shtetin-komb përbëjnë edhe njëfarë grupi njerëzish anakronikë.
“Problemet nuk janë të reja dhe me to është ballafaquar civilizimi në të ecur. E fakti se ne ballafaqohemi me to sot, dëshmon pjesërisht edhe një dozë ecjeje prapa në civilizim”, shkruan në fund të tekstit.
Derisa, e përmbyllë duke thënë se dëshirat për shtetin kombëtar do të vdesin po sa ta takojnë arsyen.
“Së treti, çdo dilemë artificiale e lancuar dhe e mbështetur iracionalisht, vdekjen e vet natyrale e përjeton me t’u ndeshur me arsyen”.
Gabimi historik i Surroit me këtë shkrim, rëndohet edhe më shumë, kur shtohet fakti se ai po shkruante vetëm disa muaj para se Millosheviç-i të suprimonte autonominë e Kosovës dhe t’ua merrte me detyrim shqiptarëve të Kosovës të drejtat e fituara me Kushtetutën e vitit 1974.
Megjithatë, para se të ndodhte marrja e të drejtave politike me një inskenim në parlamentin e Kosovës, ku përmes votave të kontrolluara, Serbia praktikisht, me ndryshimet Kushtetuese, okupoi Kosovën, me 23 mars 1989, Veton Surroi, kishte kritikuar edhe grevën e minatorëve, të cilët provonin ta ndalnin atë që s’u shmang dot.
Vetëm 18 ditë më herët, me 5 mars, në shkrimin e tij me titull “Rojat e Kushtetutës”, Surroi godet minatorët dhe ata që i mbronin, në kohën kur përkrahja për minatorët vinte edhe nga Kroacia, Sllovenia e shtete të tjera jashtë Jugosllavisë.
Aty Surroi kundërshton grevën e minatorëve dhe mundohet t’i tregojë publikut në Serbi se në fakt kjo s’ka të bëjë me atë që po thonë minatorët, por janë nacionalistët shqiptarë që po duan ta shkatërrojnë vendin për “Shqipërinë e Madhe”.
Në tekstin “Rojat e Kushtetutës” Surroi ka hallin se si këta nacionalistë të pagdhendur shqiptarë nuk po mendojnë fare se sa keq po i bëjnë të ndjehen serbët dhe malazezët.
“Së pari, duke u shërbyer në radhë të parë me praninë numerike të nacionalitetit shqiptar vendin ku ata jetojnë e punojnë e shpallin si ‘truall shqiptar’ duke vënë në rang të ‘mysafirëve’ të gjitha nacionalitet tjera që është padrejtësi e madhe ndaj tyre”.
Surroi vazhdon të thotë se kjo “padrejtësi e madhe” nuk vlen veç për serbët dhe malazezët, por “edhe ndaj shqiptarëve që ndajnë të mirën e të keqën bashkë me ta”.
Më pas, si argument se minatorët nuk e kanë grevën kundër heqjes së autonomisë së Krahinës së Kosovës, përdorë faktin se “po protestojnë veç shqiptarë”.
“Sipas të gjitha gjasave, as që mendojnë për Jugosllavinë kur flitet për ‘territore shqiptare’, sepse në përputhje të plotë me hartën e Shqipërisë së Madhe edhe ky sikur çdo nacionalizëm shtetomadh nuk mund të durojë kufij të tjerë përveç atyre etnikë, prandaj edhe në pamfletet separatiste përmendet ‘lufta përfundimtare’ për shkëputje nga Jugosllavia”.
Shkrimet e Surroit kundër minatorëve shqiptarë që kërkonin kthimin e Autonomisë dhe jo më shumë, nuk ngjajnë të rënda vetëm nga distanca e krijuar historike. Në atë kohë, shkrime të tilla nuk shkruanin as miqtë dhe bashkëpunëtorët e Surroit.
Shkëlzen Maliqi, intelektual i kohës që – siç e pranon vetë në shkrimet dhe intervistat e më vonshme – titist nuk e quante vetën, por nuk e mendonte as shpërbërjen e Jugosllavisë dhe s’kishte simpati për nacionalistë shqiptarë, e çmonte lartë grevën e minatorëve, sepse në fund të fundit po ruanin Jugosllavinë.
“Ka qenë reagim sublim”, thoshte Maliqi.
Në atë kohë, në “shpërthimin e papritur dhe spontan të shqiptarëve”, kundrejt nacionalizimit serb, Maliqi do botonte një koment në të përjavshmen “Dani” të Sarajevës me titull “Po ndodhin edhe kombësitë”, si përgjigje ndaj sloganit të nacionalistëve serbë “Ka ndodhur kombi (serb)”.
Maliqi grevën e minatorëve në një rast tjetër e quan “ndërmarrje e madhe, heroike dhe dinjitoze”.
Greva e minatorëve ishte e vlefshme në shumë rrafshe. Një nga më të rëndësishmet për kohën – dhe arsyeja përse u përkrahen edhe në republikat tjera të Jugosllavisë – ishte te fakti se mosdëgjimi i shqetësimeve të tyre de-legjitimonte boshtin e sistemit komunist, meqë nuk po respektohej revolta e klasës punëtore, mbi çka qëndronte komunizmi-jugosllav.
Po humbiste edhe politika e barazisë nacionale që e kishte instaluar Titoja.
E qartë që Veton Surroi nuk po shkruante nga perspektiva e një shqiptari, por as nga ajo e një jugosllavi, apo titisti.
Sepse greva e minatorëve nga jugosllavët çmohej shumë, edhe përtej Kosovës.
Sllovenia kishte shfaqur solidarizim të madh me grevën e minatorëve. Ishte deklaruar se në Trepçë po mbrohej Jugosllavia e AVNOJ-it, duke kërkuar nga Serbia që të tërhiqej nga pretendimet e dhunshme në Kosovë.
Kur kërkesat nuk ishin respektuar, Sllovenia aty kishte marrë kursin e ndarjes.
Sllovenia madje organizoi edhe tubime përkrahëse.
Më i madhi i njohur ai i “Cankarjev Dom-it” me 18 shkurt 1989 në Lubjanë. Në atë tubim, politikani më në zë në atë kohë, Milan Kuçan, do thoshte fjalinë e famshme se “Në Trepçë po mbrohet Jugosllavia”.
Njëjtë ishte edhe në Kroaci, në Zagreb një Asociacion i sapoformuar Jugosllav për Iniciativë Demokratike kishte lëshuar një deklaratë zyrtare ku kërkonte që në Kosovë të mbahej një referendum për statusin e provincës brena federatës.
Thirrja në mbrojtje të minatorëve dhe përpjekjeve të tyre, kishte daluar edhe jashtë Jugosllavisë.
Historianja e njohur kroate, Branka Magash, shkruan në librin e saj “Shkatërrimi i Jugosllavisë” se edhe në ish-Bashkimin Sovjetik kishte politikanë e intelektualë të caktuar që po thërrisnin në mbrojtje të asaj për çfarë grevonin minatorët shqiptarë në Kosovë.
“Në ndërkohë, në Moskë, (me kërkesë të komitetit që ishte me bazë në Londër) dy anëtarë të Frontit Popullor të Moskës, Boris Kagarlitsky (që kishte fituar Çmimin Memorial Isaac Deutscher) dhe Sergei Stankevich (më pas deputet) shkruan një apel për ‘zgjidhje paqësore dhe të drejt për çështjet në Kosovë’”, tregon Magash në librin e saj.
Në të njëjtën libër përmendet edhe Veton Surroi, i cili e çon autoren në përfundime të gabuara, kur në intervistën e tij thotë se ajo çfarë po ndodhë në Kosovë nuk ka të bëjë me etninë dhe se Kosovës nuk po i ndodhë diçka për faktin se është e populluar me shqiptarë, porse çështja ka të bëjë me forca pro dhe kundër demokracisë.
“Intervista me Veton Surroin, anëtar i rëndësishëm i opozitës demokratike, tregon se në provincë po ballafaqohemi jo me konflikt etnik, por me përpjekjet në mes të forcave demokratike dhe atyre kundër demokratike”, shkruan Magash.
Edhe titulli i intervistës është “Kosova dhe përpjekja për Demokraci në Jugosllavi”.
Përtej keqparaqitjes së situatës në Kosovë, në këtë intervistë Surroi lëshon disa nga ofendimet më brutale për shqiptarët e fshatrave të Kosovës.
Kur në një moment Magash e pyet Surroin se kush e përbën opozitën në Kosovë, ai ia përmend organizatat e themeluara në Prishtinë, derisa historianja kroate i thotë se “këto të gjitha janë organizata me bazë qytetin”.
“Po fshatarësia?”.
Këtu pason përgjigja brutale e Surroit: “Kemi një problem këtu, në atë se fshati në Kosovë është i prapambetur dhe jo produktiv. Kjo sepse ekziston në nivel të mbijetesës, nuk ka fare vetëdije të veçantë të interesave të veta specifike dhe nuk është bartës i zhvillimeve të reja agrare”.
Pretendimi i mungesës së vetëdijes dhe varfërisë në atë nivel në fshatrat e Kosovës, është krejtësisht i rrejshëm nga Surroi.
Fshati në Kosovë ishte më i zhvilluar se ai në pjesët tjera të Serbisë, ku takonte provinca e Kosovës.
Shkëlzen Maliqi, mik i Surroit, i cili për 16 vjet ka jetuar në Serbi, një kohë gjatë studimeve kishte punuar si kurues i afreskeve kishtare dhe në librin “Shkëlzen Maliqi, dialog me Baton Haxhiun – Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe Rrëfime të Tjera”, tregon se për arsye pune kishte vizituar shumë fshatra të Serbisë.
Ai në libër tregon se, për befasinë e tij, “çmimi i tokës në Kosovë ishte dy apo trefish më i lartë se në Serbi”, derisa shton se fshati serb ishte më i varfër se ai kosovar.
Për më tepër, thotë se “standardi i banimit dhe mënyra e jetesës te shqiptarët në fshatra ka qenë (dhe ende është) më i lartë se te serbët. Shqiptarët kombinonin të gjitha mënyrat e punës për mirëqenien e familjes”.
Deklarimi i Surroit për fshatin e pazhvilluar dhe të pavetëdijshëm në Kosovë bie ndesh edhe me një deklarim të tij të mëvonshëm, kur në një tentim për të mbrojtur Jugosllavinë thoshte se Kosova në kohën e Jugosllavisë ka prodhuar mjaftueshëm për ta mbajtur veten.
Surroi në këtë intervistë përveçse mashtron kur e portretizon problemin si një çështje e betejës për demokraci dhe jo problem etnik, ri-prodhon fashizëm serb për “shqiptarin me bisht”, por edhe vendos themele për atë që më vonë do të njihet si fashizëm urban i Prishtinës ku “qytetari” tenton krijimin e diferencimit kualitativ nga “fshatari” i Kosovës.
Por, intervista me tone fashiste e Surroit për Magash vazhdon dhe rëndohet akoma më shumë.
Në pyetjen e fundit autorja e fton Surroin në një parashikim: “Nëse ka zgjedhje të lira në Kosovë sot, kush do të fitonte?”.
Këtu Surroi riprovon të bëjë diferencime nga shqiptarët, duke synuar të thotë se regjimin jodemokratik dhe represionin e rezistojnë dy grupe, por jo për qëllime të njëjta.
“Ne jemi ndryshe”, thotë ai.
“Janë demokratët, por gjithashtu edhe shefat prej fshati”.
Surroi në intervistë përçmon siç i quan ai “këto karaktere” nga fshati.
“Asambleja e provincës është e madhe dhe është e mundur që do të shohim tek zgjedhen aty bukur shumë karaktere nga fshati që kanë bërë emër duke u treguar më shumë shqiptar se tjetri”, thotë Surroi.
Ai shpreh shqetësim se zgjedhja eventuale dhe në numër të madh e tyre do ta shqiptarizojë shumë Kuvendin.
“Këta njerëz nuk do ta brengosin veten fort me përmbajtjen e ligjeve, por do bërtasin për shqiptarizim… Ky është rrezik real”.
Bindjet e tij anti-shqiptar Surroi nuk i shpërfaqte vetëm në shkrime për gazeta, intervista për mediume e gazetarë të ndryshëm, por – sa herë kishte mundësi – edhe nëpër takime, siç ishte ai me sekretarin amerikan në vitin 1990, ku kishte deklaruar se shqiptarët nuk janë në favor të pavarësisë së Kosovës.
Se çfarë kishte deklaruar në atë takim Surroi nuk do të kuptohej kurrë, nëse në vitin 1996, Warren Zimmermann, ambasadori i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jugosllavi, nuk do të publikonte librin “Origjina e një Katastrofe: Jugosllavia dhe shkatërruesit e saj”.
Në libër Zimmermann tregon për një takim të rëndësishëm në Ambasadën Amerikane në Beograd, me 26 shkurt të vitit 1990, ku sekretari amerikan i shtetit, Lawrence Eagleburger, dëgjonte zërat alternativë opozitarë të përfaqësuesve politik në Jugosllavi.
Në këtë libër Zimmermann tregonte për qëndrimet që i mban Veton Surroi në atë takim.
Në faqen 61 të librit të Zimmermann thuhet saktësisht: “Veton Surroi, një shqiptar i ri me anglishte perfekte, tha se populli i Kosovës nuk e pranon regjimin serb, po (gjithashtu) nuk është në favor të pavarësisë (së Kosovës)”.
Nga të gjitha deklarimet që mund të bënte Surroi në atë takim të rëndësishëm për shqiptarët, ai zgjedh të reprezentojë një qëndrim pro-serb siç ishte ai i deklarimit se shqiptarët nuk duan pavarësi nga Serbia.
Pra, Surroi u thoshte amerikanëve në takim se “shqiptarët e Kosovës nuk janë në favor të pavarësisë së Kosovës”.
Madje, më në favor të Kosovës në atë takim kishte folur, Tanja Petovar, një grua që nga Zimmermann përshkruhet në libër si “e guximshme”, e cila edhe udhëhiqte grupin për të drejta të njeriut.
Ajo i kishte thënë Eagleburger se “Millosheviç-i po provon të mbijetojë në pushtet duke nxitur nacionalizmin si një mënyrë për të bllokuar ndryshimin demokratik”.
Petovar, shkruan Zimmermann, “u lut për presion maksimal ndaj Serbisë për çështjen e Kosovës”.
Derisa Surroi po fliste në emër të popullit të Kosovës, duke thënë se “populli nuk është pro-pavarësisë”, nuk do të kalonte shumë kohë kur populli do të fliste vetë ndryshe. Afër një vit më pas, do të organizohej referendum rreth pavarësisë së Kosovës.
Referendumi u shpalos në një sfond tensionesh. Këshilli Koordinues e orkestroi këtë akt të guximshëm, duke sfiduar dorën shtypëse të autoriteteve serbe.
Përpjekjet e tyre arritën kulmin me një votim që zgjati pesë ditë, një përpjekje e kushtueshme që rezultoi me mbi dyzet organizatorë të burgosur. Opsionet ishin të qarta: pavarësi apo nënshtrim i vazhdueshëm.
Dhe kur pluhuri ra në tokë, numrat flisnin me qartësi të paekuivoke. Nga 914 mijë e 802 vota – që përbënin 87 për qind të elektoratit – 99.87 për qind ishin në favor të pavarësisë.
Mesazhi ishte i qartë.
Tashmë, mendimet e çrrënjosura të Surroit rreth aspiratave të Kosovës për pavarësi ndodheshin brenda dy fakteve të forta historike: derisa para pretendimeve të tij gjendej një dekadë e plotë sakrifice në shërbim të pavarësisë së Kosovës.
Kërkesa për pavarësi, që dikur pëshpëritej në margjinat e ilegalitetit, tashmë gumëzhinte me dominancë në rrugët, në shtëpitë shkolla, në spitalet e improvizuara dhe, me përjashtime të vogla, në çdo familje të Kosovës.
Mirëpo, kur kërkesa për pavarësi ishte kaq e përhapur, shtrohet pyetja se pse fliste Surroi kështu?
Ai – 26 vjet më vonë nga ai takim i turpshëm – pati provuar ta pastronte vetën.
Në një shkrim shfajësues me 29 shkurt të 2016-së Surroi shkruante se çfarë ka dashur të thotë në takim ishte që “nuk ishte Kosova, siç akuzohej nga shovinizmi serb, ajo që po e prishte Jugosllavinë”.
Derisa përfaqësimi i tij në 1990-në shpalos qëndrimin anti-kombëtar të Surroit, në shfajësimin e 2016-së i shpërfaqet cektësia e tij brutale në tentimin për të prodhuar një gënjeshtër historike dhe e nxjerr vetën edhe më keq se në takimin e sipërfolur.
Së pari, takimi nuk ishte se për çfarë e akuzon Serbia Kosovën, apo shqiptarët, por cila është kërkesa e shqiptarëve të Kosovës.
Në pyetjen e amerikanëve se “çfarë duan shqiptarët”, Surroi kishte siguruar amerikanët se “shqiptarët nuk duan pavarësi”.
E dyta, edhe sikur t’i pranohej për valid arsyetimi, në mesin e atyre që akuzonin shqiptarët se po duan ta shkatërrojnë Jugosllavinë ishte ky vetë.
Siç është treguar më lartë, ai ka disa shkrime të botuara në gazetën Rilindja, por edhe në gazeta e mediume të tjera ku u bën gjyqin vazhdimisht “nacionalistëve shqiptarë” dhe i quante “separatistë”.
Atëherë, a nënkupton kjo që Surroi paska dashur t’i shfajësojë shqiptarët para amerikanëve për një akuzë të cilën ky ua bënte vetë sa herë i jepej rasti?
Ai i thoshte publikut serb se as greva e minatorëve nuk është për të kthyer autonominë, por për t’u ndarë nga Jugosllavia.
Në shkrimin e publikuar në Rilindje me 5 mars 1989, vetëm 1 vit para takimit me sekretarin amerikan, Surroi shkruante se “sipas të gjitha gjasave, as që mendojnë për Jugosllavinë kur flitet për ‘territore shqiptare’, sepse në përputhje të plotë me hartën e Shqipërisë së Madhe edhe ky sikur çdo nacionalizëm shtetomadh nuk mund të durojë kufij të tjerë përveç atyre etnikë, prandaj edhe në pamfletet separatiste përmendet ‘lufta përfundimtare’ për shkëputje nga Jugosllavia”.
Kështu, duke provuar trukun e shpëtimit nga keq reprezentimi, ai pasqyron vetë se qëndrimet e Millosheviç-it për shqiptarët, ishin shumë shpesh edhe qëndrimet e vetë atij për shqiptarët.
Dhe problemi i tretë i atij takimi, shtrohet me pyetjen: Përse Surroi në atë takim fliste për çfarë nuk duan shqiptarët e jo për atë se çfarë duan? Ai, nëse asgjë tjetër, do të mund të kërkonte atë që e kishte kërkuar Rugova në takim, që ishte “qëndrim brenda një konfederate Jugosllave, por me autonomi të plotë”.
Pse mbante qëndrime të tilla Surroi shpjegohet në një libër tjetër, të një diplomati tjetër, atij anglez Sir Ivor Roberts.
Roberts ishte ambasador i Britanisë së Madhe në kohën e luftërave në Jugosllavi dhe një takim i tij me Slobodan Millosheviç-in, ku ishte përmendur edhe Veton Surroi, sqaron shumëçka.
Historia është kështu.
Roberts mandatin e kishte përfunduar në fund të vitit 1997.
Ai ishte i indinjuar me një libër të Richard Holbrook – negociatorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës – për shkak se i ngjante që diplomati amerikan kishte paraqitur tendenca të nënvlerësimit të rolit të aktorëve evropianë.
Roberts po sa u kthye nga misioni, me kujtimet e freskëta dhe shënimet e marra nga takimet, filloi shkrimin e një libri.
Kur deshi ta botonte, qeveria britanike nuk e lejoi. I pohuan se do të përbënte shembull të keq që kaq shpejt një ambasador të zbulojë biseda me një kryetar të një shteti tjetër.
Ndryshe nga Holbrooke, që prezantonte një negociator të përzgjedhur, ai si ambasador ishte zëri zyrtar i shtetit, prandaj nuk e kishin lejuar.
Roberts e la draftin e librit të tij diku në sirtar me idenë që s’do ta botonte ndonjëherë.
Vite më vonë, kur veçse kishte harruar për atë draft, i kishte cingëruar telefoni.
Ishin nga “Foreign Office”.
Kishte kaluar kaq shumë kohë. “Mund ta botosh librin”, i kishin thënë.
E nxori në anglisht në vitin 2016 nën titullin “Biseda me Millosheviç-in”.
Në faqen 206 të librit, Roberts tregon për një nga këto biseda dhe përmend një fakt shokues në lidhje me Veton Surroin.
Ai dëshmon se si Kasapi i Ballkanit, Millosheviç, kishte simpati për Surroin dhe e shihte si udhëheqësin e Kosovës nën regjimin e tij në Serbi.
Derisa Roberts po ia kërkonte Millosheviç-it zmbrapsjen e trupave ushtarake dhe po i thoshte se pa këtë hap Ibrahim Rugova do ta kishte të vështirë përfshirjen në dialog për zgjidhje, Millosheviç kthen fokusin tjetër kah.
“Millosheviç foli me nota pozitive për takimin dhe përmendi Veton Surroin në veçanti si kryeministër (të Kosovës) në vend të Bujar Bukoshit”, shkruan Roberts.
Millosheviç-i kishte problem me shqiptarët, por jo me Veton Surroin.
Ky i fundit s’e ka parë të arsyeshme asnjëherë të shpjegohet për këtë afërsi të Millosheviç-it me të dhe përzgjedhjen që diktatori ia kishte bërë.
//
Një nga përpjekjet e fundit të Surroit për të bërë krejt çfarë mund të bënte që të minonte mundësinë e shqiptarëve për një shtet të vetin në Kosovë, që do të nënkuptonte shkatërrim të Jugosllavisë po se po, por edhe shkëputje nga Serbia, shënohet në Rambuje, gjatë kohës së bisedimeve të delegacionit shqiptar me atë serb.
Ngjarjen të plotë e ka sjellur gazetari, shkrimtari dhe historiani francez, Jacques Baudouin.
Baudouin, i emëruar kalorës në Urdhrin Kombëtar të Legjionit të Nderit në Francë, që më pas ishte edhe këshilltar i Bernard Kouchner, administratori i parë i UNMIK-ut në Kosovën e pasluftës, kur shkroi librin e tij “Lindja e një Demokracie, Hashim Thaçi dhe Rruga Drejt Kosovës së Pavarur”, një pjesë ia ka kushtuar specifikisht Veton Surroit.
Për vërtetësinë e librit, është zotuar edhe vetë Kouchner, më pas edhe Ministër i Punëve të Jashtme të Francës, që ka shkruar edhe parathënien e librit.
Në faqen 181 të këtij libri shënon një kapitull me emrin “Loja e Veton Surroit”.
Aty Baudouin shkruan se si Veton Surroi kishte tentuar të bënte një dredhi për të vënë në lajthitje grupin e Kosovës të përbërë nga Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja.
Baudouin shkruan në libër se Surroi, pa dijeninë e të tjerëve, kishte marrë letrën e propozuar nga ndërkombëtarët për Marrëveshje me Serbët dhe po e përkthente.
Këtë Hashim Thaçi e kishte kuptuar vetëm rastësisht kur gjatë një shëtitje kishte parë Christopher Hill-in dhe Wolfgang Petrischin, të cilët iu afruan dhe “e përgëzuan për pranimin e marrëveshjes të tillë siç e kishin propozuar ata në letrën e tyre”.
“I shastisur Hashim Thaçi hyri në sallë dhe zbuloi atëherë tekstin e letrës së përbashkët për të dyja palët që ai duhej t’ia përcillte Grupit të Kontaktit, ku thuhej: Palët e kanë pranuar sot marrëveshjen bazë dhe kapitujt politik për paqen dhe qeverisjen autonome të Kosovës”, tregon Baudouin.
Ky tekst, siç shkruan Baudouin në libër, “nuk e përmendte askund transformimin e UÇK-së apo referendumin për pavarësi”.
Atëherë, Thaçi, që ishte shef i delegacionit, shkruan Baudouin, nuk e kishte nënshkruar letrën, por “deshi të dinte kush e kishte dhënë pëlqimin e delegacionit pa folur me të”.
“Veton Surroi ndenji i heshtur dhe s’mundi të jepte asnjë shpjegim”, e përshkruan tensionin Baudouin.
“Të gjithë e dinin se ai kishte deklaruar se ishte i kënaqur me autonominë dhe e kuptuan se kishte luajtur prapa shpinës së delegacionit”, thuhet në librin e shkrimtarit/gazetarit francez.
Veton Surroi duke bërë lojë të dyfishtë, kishte provuar t’ia hidhte ekipit shqiptar dhe në anën tjetër kishte siguruar ndërkombëtarët se shqiptarët po pajtoheshin me autonomi brenda Serbisë, shuarje të UÇK-së dhe jo transformim në një trup tjetër dhe nuk e kërkonin pavarësinë në një fazë të mëvonshme.
Kjo lojë e tij e kishte vënë ekipin shqiptar në Rambuje në një pozicion tejet të pavolitshëm.
Hashim Thaçi do të duhej të risqaronte për ndërkombëtarët se nuk e pranon këtë lloj marrëveshje, kur tashmë ata veçse kishin krijuar përshtypjen se gjithçka ishte punë e kryer.
Baudouin e shpjegon kështu në libër.
“Kur Madeleine Albright hyri në sallë për të marrë letrën e marrëveshjes që të shkonte t’ia çonte palës serbe, Thaçi e njoftoi se, pa përmendjen e referendumit, delegacioni i tij s’mund ta firmoste këtë tekst”.
“Kjo është përgjegjësi e rëndë që po merr mbi vete”, i kishte thënë Albright duke e sugjeruar ta mendonte edhe njëherë.
Madje, shpjegon tutje situatën Baudouin, “Christopher Hill u përpoq të shtonte se ky dokument nuk e mohonte askund idenë e një referendumi, por Thaçi mundi t’i përgjigjej se është po aq e vërtetë se ky tekst as nuk e autorizonte askund”.
Sekretarja e shtetit amerikan aty nga fundi i pasdites kishte provuar edhe njëherë që ta bindte Thaçin duke i thënë se “nëse donin që trupat amerikane të vinin në Kosovë, ata duhej të thoshin po”.
“Por, më kot”, Thaçi dhe ekipi i shqiptarëve këmbëngulte në respektimin e të drejtës së tyre për Vetëvendosje.
Kështu Thaçi i kishte ikur lojës së Surroit, duke siguruar përfundimisht nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës garancinë se do t’u mundësohej një referendum për pavarësi në të ardhmen dhe pikën e dytë më të rëndësishme, jo zhbërjen e UÇK-së, por transformimin në Trupën Mbrojtëse të Kosovës.
Libri jep edhe një situatë kur sekretarja amerikane i kishte thënë Thaçit se “pranimi i referendumit do të ishte si pranimi i pavarësisë së Kosovës”, prandaj ajo e kishte të pamundur ta binde ndonjë nga ministrat për atë opsion.
Ekipi kosovar më pas do firmoste marrëveshjen me garancitë e nevojshme amerikane dhe pjesa tjetër është histori, por tregimi për Surroin dhe vetë Surroi u kursyen.
Asnjëherë nuk ishte treguar edhe ky episod i errët i tij në Rambuje.
Madje, përkundër gjithë kësaj jete përlotë gabime historike; pozicionime anti-shqiptare; shkrime pro serbe dhe patjetër pro jugosllave, pas luftës në Kosovë Surroi disi do të përbirohej sërish në jetën publike.
Madje ai, me zhdërvjelltësinë e përshtatjes, u pa edhe afër liderëve të luftës që ia njihnin historikun e ndotur të parasaj. Më vonë, ai edhe do të formonte një parti politike dhe njëherë arriti të futej në Parlamentin e Kosovës, për t’u bojkotuar përfundimisht nga populli i Kosovës duke ia pamundësuar ta kalonte pragun.
Surroi do t’i shkoqej Kosovës për disa vjet, duke bërë një jetë jashtë syve të publikut, jashtë Kosovës, kryesisht në Shqipëri, dhe me paraqitje të rralla e të parëndësishme për publikun në Kosovë, derisa, pas një rehabilitimi të lehtë, ai filloi të rikthehej me disa libra propagandistik kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Filloi të krijonte teza se si UÇK-ja më shumë se një organizim ushtarak i shqiptarëve, përbënte një frustrim të fshatarëve me regjimin e ashpër serb, bashkëpunëtorët e tij në Rambuje nisi t’i ofendonte e Hashim Thaçin që pas lufte i qëndronte nënsqetull e kritikonte për një të padijshëm që po e shkatërronte Kosovën.
Libri i tij me tone fashiste “Këmbët e Gjarprit” u përkthye dhe u promovua me pompozitet në Serbi, derisa Surroi sulmonte edhe bashkëpunëtorët e tij në gazetari, sikur rasti me romanin në tentativë “Përcaktimi i Dashurisë së Marie Gjonit”.
Aty ai provon një manovër skizofrenike duke marrë pjesë nga historia e familjes së tij si bashkëpunëtore e afërt e regjimit serb dhe nuanca të historisë së tij t’ua lyejë personazheve të librave.
Gradualisht, ofendimet dhe konsipracionet e shkrimtarit të dëshpëruar Surroi filluan të ngjiten në diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kishin gjetur një armik të përbashkët: ish-partitë e dala nga lufta.
Albin Kurti në disa emisione televizive u bën gjyq publik figurave politike dhe publike në Kosovë dhe kur pyetet për evidencat referon në romanet e Surroit.
Sot Surroi është këshilltar i Albin Kurtit. Përveç tij, vajza e Surroit është këshilltare po ashtu e Albin Kurtit. Mediumi i Surroit, KTV, është medium që kryesisht i vihet në shërbim pushtetit të Albin Kurtit me disa dromca objektiviteti sa për ta bërë më të besueshëm rrëfimin, derisa kabineti i Kurtit është i mbushur me pasardhës të linjave të njëjta si këto të Surroit./AlbanianPost/