Iraku ka eksportuar vetëm 10 milionë fuçi naftë përmes Ngushticës së Hormuzit gjatë muajit prill, nga rreth 93 milionë fuçi eksporte mujore që realizoheshin para shpërthimit të luftës në Iran. Lajmi u bë i ditur nga ministri i ri i Naftës, Bassim Mohammed, gjatë një konference për shtyp të martën.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit si pasojë e konfliktit në Iran ka shkaktuar goditje të fortë për eksportet e naftës nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Iraku, duke sjellë një rritje të ndjeshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Ndërkohë, eksportet e naftës bruto të Irakut përmes tubacionit Kirkuk-Ceyhan rifilluan në muajin mars, pas marrëveshjes mes Bagdadit dhe Qeverisë Rajonale të Kurdistanit për rikthimin e rrjedhës së naftës.
“Po eksportojmë 200 mijë fuçi përmes portit Ceyhan dhe kemi një plan për ta çuar këtë shifër në 500 mijë fuçi”, deklaroi Mohammed.
Ai shtoi se Iraku po planifikon bashkëpunim me OPEC për të rritur prodhimin dhe eksportet, ndërsa objektivi i Bagdadit mbetet arritja e një prodhimi ditor prej 5 milionë fuçish naftë.













