Bashkëluftëtarja e Mujë Krasniqit ishte gruaja e vetme në mesin e rreth 40 ushtarëve të UÇK-së të rënë në këtë betejë.
Kanë kaluar 27 vjet nga Beteja e Pashtrikut, e zhvilluar më 14 dhjetor 1998, ku forcat serbe vranë rreth 40 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në zonën e Gorozhupit të Pashtrikut, në kufirin shqiptaro-shqiptar.
Në mesin e të vrarëve ishte edhe Luljeta Shala, gruaja e vetme në këtë grup luftëtarësh. Ajo ishte bashkëluftëtare e komandant Mujë Krasniqi, i njohur si Kapuçi, dhe po merrte pjesë në kalimin e armatimit nga Shqipëria drejt Kosovës.
Grupi prej rreth 150 ushtarësh të UÇK-së, i udhëhequr nga Mujë Krasniqi, kishte hyrë në territorin e Kosovës në orët e para të 14 dhjetorit, kur u sulmua nga forcat serbe të pozicionuara në pritë. Gjatë përplasjes u vra edhe komandant Mujë Krasniqi, si dhe dhjetëra ushtarë të tjerë të UÇK-së.
Sipas dëshmive, një pjesë e ushtarëve arritën të tërhiqeshin dhe të ktheheshin në Shqipëri, ndërsa disa të tjerë u zunë rob. Luljeta Shala dhe bashkëluftëtarët e saj u vranë gjatë kësaj beteje, e cila njihet si një nga ngjarjet më të rënda për UÇK-në në Pashtrik.












