Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka reaguar pasi rezoluta e kësaj partie për uljen e çmimeve të naftës nuk mori përkrahjen e Lëvizja Vetëvendosje.
Përmes një postimi, Lushaku tha se pas një debati të gjatë parlamentar, rezoluta e propozuar nga LDK nuk arriti të kalojë, duke e cilësuar këtë si një mundësi të humbur për qytetarët.
“Pas një debati të gjatë parlamentar për rritjen e çmimeve të naftës, rezoluta jonë për mbështetjen e qytetarëve nuk mori përkrahjen e Qeverisë dhe nuk kaloi në Kuvend”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, refuzimi i kësaj rezolute nënkupton se është humbur një mundësi konkrete për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve.
“Sot u humb një mundësi konkrete për të lehtësuar barrën financiare të qytetarëve përmes uljes së taksave dhe masave mbrojtëse”, u shpreh Lushaku.
Ajo theksoi se LDK kishte propozuar zgjidhje të qarta dhe të realizueshme, por sipas saj mungoi vullneti politik për t’i mbështetur ato.
“Ne ofruam zgjidhje të qarta dhe të realizueshme. Mungoi vetëm vullneti politik”, tha ajo.
Në reagimin e saj, Lushaku shtoi se rritja e çmimeve të naftës vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në koston e jetesës.
“Realiteti mbetet i pandryshuar: çmimi i naftës është i papërballueshëm dhe po reflektohet drejtpërdrejt në koston e jetesës”, theksoi ajo.
Në fund, ajo kritikoi Qeverinë dhe partinë në pushtet për refuzimin e masave konkrete.
“Sot, qytetarët panë qartë: Qeveria dhe partia në pushtet refuzoi të votojë masa konkrete në mbështetje të tyre”, përfundoi Lushaku.














