Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

LVV e provon me të butë, Konjufca i korrigjoi bashkëpartiakët deri te kryetari i partisë: Kemi reflektuar

16/12/2025 - 16:06
në Kryesore, Lajme
A A
LVV e provon me të butë, Konjufca i korrigjoi bashkëpartiakët deri te kryetari i partisë: Kemi reflektuar
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Sulmet ndaj mediave, gjuhën denigruese ndaj kundërshtarëve, sulmet e bashkëpartiakëve në drejtime tjera, heroizimin e Albin Kurtit me këngë nga Edona Llalloshi…. të gjitha këto i konsideroi gabim nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca. Mbrëmë në Pressing, ai u distancua me kujdes nga gjuha e bashkëpartiakëve, përfshirë edhe ajo e kryetarit të partisë. Tani, tha se kanë reflektuar: “Gjuhën duhet ta kemi ndryshe, një gjuhë të matur, një gjuhë bashkëpunuese…”

Lëvizja Vetëvendosje duket se është bindur që gjuha brutale ndaj çdokujt që s’është krah tyre, si metodë, ka hasur në mosmiratim në zgjedhjet e fundit parlamentare, më 9 shkurt të këtij viti.

Mosparaqitja në media dhe etiketimi i tyre si “të Serbinë” – “gabim”

Pas katër vjetësh, nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca vendosi të vinte me një version të “përmirësuar” të partisë së tij mbrëmë në Pressing në T7.

Në partinë e Albin Kurtit, tani kanë vendosur t’i japin fund bojkotimit të mediave, një vendimi të marrë para zgjedhjeve të shkurtit. Numri dy i këtij subjekti politik erdhi në studion kryesore të T7 duke treguar se kanë reflektuar për gabimet.

“Po mendoj që ky ka qenë një reflektim i yni. Në politikë ai që nuk mëson prej gabimeve që i ka bërë, nuk mund të ec përpara. Lëvizja Vetëvendosje ka reflektu në këtë pikë, ka mendu që strategjia jonë që e aplikuam në shkurt nuk ishte më efektivja, kështu që në rrethanat e reja ne synojmë që të kemi prani sa më të madhe në mediat e Republikës së Kosovës. Kjo ma merr mendja që do t’i përmirësojë dukshëm relacionet tona dhe është një hap i mirë në drejtimin e duhur”, tha ai. Këtë vendim, tha se e morën “pas analizave të zgjedhjeve të shkurtit të këtij viti” dhe shtoi se këtë e sheh si “një hap që duhet të përshëndetet”.

Një diskurs të artikuluar nga zyrtarë të LVV-së për mediat, nënkryetari i partisë e diskualifikoi.

“Ai që i kualifikon mediat tona si të Serbisë… unë mendoj që është një gjuhë e vrazhdë, gjuhë e cila nuk ka vend në politikën tonë. Unë kurrë nuk e kam përdorur këtë gjuhë”, tha ai.

Kurti i quajti kundërshtarët “hajvanë”, Konjufca thotë se “ka reflektuar: Gjuhën duhet ta kemi të matur

Përballë gjendjes politike në vend, prej filozofit të LVV-së erdhën thirrje për mirëkuptim e bashkëpunim.

Duke komentuar disi me keqardhje atë që e karakterizon LVV-në në kornizimin e saj politik, Konjufca iu përgjigj me shumë kujdes pyetjeve për kundërshtarët opozitarë dhe gjuhën e vrazhdë ndaj tyre të përdorur nga shefi i tij i partisë dhe të bashkëpartiakët.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i kishte quajtur hajvanë kundërshtarët e tij politik pak orë pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet e 9 shkurtit, pavarësisht se atij do t’i duhej më pas një partner koalicioni. Gjatë fushatës, të gjithë ata që nuk donin një fitore të LVV-së ishin veçse “materialistë” e “zuzarë” për të.

Nënkryetari i partisë, tha se ai ka gabuar dhe ka reflektuar edhe për këtë. Gjuhën, tash, tha se do ta kenë më të matur.

“Tash, zoti Kurti, në këtë intervistën e fundit tha ‘e di që nuk është fjala e duhur dhe kam bërë gabim’. Do me thënë ka reflektu për atë. Nuk ka qenë ajo që është dashur. Gjuhën duhet ta kemi ndryshe, një gjuhë të matur, një gjuhë bashkëpunuese, e cila mendoj që do të ndodhë, është duke ndodh. Mendoj që do të thellohet edhe më shumë”, tha ai.

Konjufca uroi se ky ndryshim në qasjen publike të LVV-së të reflektohet në situatën pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në mënyrë që “të mos mbahen peng institucionet e Republikës së Kosovës”.

Qytetarët, Kuri në fushatën e kaluar zgjedhore i vendoste në vetëm dy pole: “kombëtarë” dhe “zuzarë”. Duke i keqpërdorur disa fjalë të Faik Konicës, ai shprehej në një tubim zgjedhor në Mitrovicë: “Rilindasi ynë i madh, ndër rilindasit e fundit, Faik Konica, ka thënë një shprehje lapidare, i ka shumë të tilla por unë përzgjodha njërën sonte. Po e citoj: ‘Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve’. Ne jemi nga ana e kombëtarëve”.

Partitë kundërshtare me Serbinë? Konjufca: “Gabim, as Albin Kurti s’mendon ashtu”

Partitë kundërshtare u etiketuan si të lidhura me Serbinë. Konjufca mendon se edhe kjo është gabim.

“Mua me më pyet ‘a është PDK-ja me Listën Serbe?’, unë them jo bre Lleo, ajo nuk është tema kryesore e këtij… s’mendoj ashtu. ‘A është LDK-ja me Listën Serbe?’. Jo nuk mendoj”, tha ai.

“Çka mendoj është që ky është debat i rrejshëm”, tha Konjufca.

Ish-kryetari i Kuvendit tha se edhe kjo kishte qenë “gabim” i partisë së tij.

“Me më thënë mua ‘jepja 10 karakteristika PDK-së, çka është PDK-ja, definoje’, unë nuk e qes definicionin e parë, as të dytë, as të tretë e as të katërt që është me Serbinë. Gabim është ajo. A kështu po më gjykon mua?… As ata nuk e kanë për neve ashtu. Nuk besoj që mendojnë ashtu”, tha ai.

Konjufca tha se “e di” që as kundërshtarët politikë nuk e mendojnë të njëjtën. Tha edhe se “shumica e Vetëvendosjes nuk mendojnë ashtu. As Albin Kurti nuk mendon për ata ashtu”.

“LDKyhi” partner i preferuar i LVV-së, Konjufca: Kam pasë bashkëpunim të shkëlqyeshëm, s’jemi bre armiq

Për LDK-në, të cilës në fushatë Kurti i referohej me terma pezhorativ si “LDKyhi” e “Lodhja demokratike e Kosovës”, Konjufca foli duke kujtuar bashkëpunimin në kohën kur të dy partitë ishin në opozitë.

“Me LDK-në bashkë edhe në opozitë bre kemi qenë. Unë dy mandate kam qenë në opozitë me LDK-në. Jemi ulur bashkë me zotin Ismet Beqiri në vitet dhe kam pas bashkëpunim të shkëlqyeshëm si opozitar me të gjitha ato iniciative me të cilat e sfidonim Qeverinë Haradinaj, me zotin Hoti, Avdullah Hotin”, tha ai.

Zyrtarët e LDK-së, Konjufca tha se i njeh mirë për afro 20 vjet.

“Nuk më duket… Le të themi… Kur je në politikë, e ndajmë një hapësirë, megjithatë. Dhe njëri-tjetrit e njohim moti. Unë i njoh krejt ata të LDK-së, sidomos këta të vjetrit, Lutfi Hazirin e krejt, i njoh mirë, gati qe 20 vjet. Kam qenë edhe në udhëtime me ta, edhe kemi nda kohë me ta, edhe kemi pi kafe me ta, jemi ulë, jemi kritiku, në fund ia kemi zgjatë dorën njëri-tjetrit. Kemi megjithatë një raport njerëzor me njëri-tjetrin. Nuk jemi bre armiq”, tha ai.

Një koalicion i LVV-së me LDK-në, ai tha se do të ishte bërë “mazhoranca e dytë më e madhe në historinë e Kosovës”.

Haradinaj “i ashtuquajtur gjeneral”? Konjufca: S’mund ta flas një fjalë negative për të, s’mund ta vendos në pikëpyetje patriotizmin e tij

Për Glauk Konjufcën, nuk ishin të duhura as fjalët e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla gjatë fushatës së kaluar, ku ajo iu referua Ramush Haradinajt si “i ashtuquajturi gjeneral”.

“Familja Haradinaj është një familja e lavdishme. E ka bërë Epopenë e UÇK-së në Dukagjin së bashku me të gjitha ato familjet tjera të cilat i kanë dhënë dëshmorët e tyre më të vlefshëm. Ramush Haradinaj është, përveçse luftëtar i madh, është vëllai i Luanit dhe Shkëlzenit. Nisur prej kësaj, unë nuk mund ta flas një fjalë negative për zotin Haradinaj në kuptimin e angazhimit të tij dhe të patriotizmit të tij. Nuk mund ta vendos në pikëpyetje”, tha ai.

Konjufca tha se nuk mendon se Haradinaj është lënduar, ndërsa tha se ai e ka vizituar “vazhdimisht” në kullën e tij në Gllogjan.

“Debatet tona që i kemi pasë, kah s’kemi hyrë dhe kah s’kemi dalë. Nuk mendoj që zoti Haradinaj është prekur apo lënduar kur e di aq mirë çfarë familje është, në çfarë niveli të patriotizmit është dhe çfarë kontributi ka dhënë për çlirimin e Kosovën në UÇK, por edhe më herët. Zoti Haradinaj nuk është që ia ka nisë luftës thjesht në 1998-ën…. Unë vazhdimisht kam shku në kullën e tij, edhe si kryetar i Kuvendit, i kam nderu. Gjithmonë do të bëjë kështu”.

Të pakujdesshme dhe sërish të gabueshme, ai e vlerësoi edhe një deklaratë të Alban Krasniqit, anëtarit të LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Krasniqi, bashkëshorti i ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte shkruar kështu në Facebook, duke iu referuar një video të nënës së Ramush Haradinaj duke vajtuar djemtë dëshmorë: “Loti i nënës së dëshmorëve mallkon dhe vret këdo që e keqpërdorë, në çdo kohë, sidomos në kohë fushatash”

“Tash, ajo deklaratë ka qenë e pakujdesshme. Unë mendoj që është deklaratë e gabueshme, sepse lotët e nënës Rukë, janë lotë të dhimbjes, por edhe të krenarisë, njëkohësisht, që i ka dhënë djemtë e vet për lirinë e Kosovës. Dhe ata lotë nuk mund t’i gjykojë bash kurrkush, se janë mbi çdo deklaratë politike, mbi çdo gjykim. Dhe me mendu që nëna e dëshmorëve e bën atë për fushatë zgjedhore, kjo është shumë e pasaktë, e gabueshme”, tha nënkryetari i LVV-së.

“Unë mendoj që kur e shohim ashtu nënën Rukë, më së shumti çfarë mund të bëjmë, është me marrë pjesë në dhimbjen e saj, kurrgjë më shumë”, tha ai.

“Presidenti Thaçi, kryetari Veseli…”

Nënkryetari i LVV-së foli edhe për gjykimin në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke folur për ta, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, dy kundërshtarëve politikë për të cilët në LVV nuk i ndalin akuzat, Konjufca iu referua me respekt institucional, ndërsa tha se i shërben kauzës për lirimin e tyre.

“Unë prej 5 nëntorit 2020 kur ka ndodh marrja e tyre, e kryetarit Veseli, e kryetarit Krasniqi, e presidentit Thaçi dhe e mikut tonë Rexhep Selimi, unë vetëm jam mundu që me qenë në kuadër të akuzës që kjo gjykatë me dështu dhe ata me u liru sa ma shpejt që është e mundshme”, tha ai.

“Kurrë, as zotin Veseli, as zotin Thaçi, nuk i kam përfshi dhe nuk i kam përmend në asnjë moment që karrierës time politike, sepse mendoj që kështu duhet të jetë”, tha Konjufca.

Përmendi edhe se i ka vizituar në paraburgim në Hagë.

“Duhet të na kthehen sa më parë, pastaj betejat politike, politikat ditore, këto çka mendojmë për ekonominë, për tatimet, jo ma këndej, jo ma andej, iu kthehemi prapë në mënyrë demokratike, në mënyrë qytetëruese. Edhe kam shku i kam vizitu të gjithë”.

Kundër heroizimit të Albin Kurtit me këngë nga Edona Lalloshi: Nuk është mirë

Ish-deputetja Edona Llalloshi këndoi së fundmi në një tubim zgjedhor me mërgimtarë në Zvicër për shefin e saj të partisë, Albin Kurtin.

Një këngë për Çun Mulën, figurën e rëndësishme shqiptare nga Hoti i Malësisë së Madhe, ajo ia përshtati Kurtit.

Konjufca qeshi duke e dëgjuar.

“Unë mendoj… dhe këtu ma merr mendja që në masë të madhe e ndajmë mendimin e njëjtë me Albin Kurtin… që për së gjalli, njeriut nuk i qitet këngë edhe nuk i marohet përmendore. Besoj që pajtohet në këtë pikë. Sepse përmendoren është mirë me ua ngritë vetëm heronjve”, tha ai.

“Unë mendoj që si princip, nuk është mirë”, tha Konjufca.

JU REKOMANDOJMË

Osmani nesër në Bruksel për Samitin BE-Ballkani Perëndimor
Kryesore

Osmani nesër në Bruksel për Samitin BE-Ballkani Perëndimor

16/12/2025 - 18:00
“Ja pse e votuam Rashiqin”, flet Hykmete Bajrami
Lajme

Bajrami: Glauku mbrëmë e përsëriti gënjeshtren e Kurtit se buxhetin e morën me 2.3 miliardë euro dhe e rritën në 4

16/12/2025 - 17:55
15 zyrtarë të Shërbimit Korrektues trajnohen në Danimarkë
Kryesore

15 zyrtarë të Shërbimit Korrektues trajnohen në Danimarkë

16/12/2025 - 17:46
Krasniqi: Kurti mosbesues për SHBA-të, asnjëherë s’kemi pasur raporte më të acaruara me Amerikën se tani
Lajme

36-shja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi: Kosova është atdheu ynë i përbashkët, i shenjtë dhe i përhershëm

16/12/2025 - 17:17
HIB Petrol shpallet Tatimpaguesi dhe Punëdhënësi i Vitit 2025
Ekonomi

HIB Petrol shpallet Tatimpaguesi dhe Punëdhënësi i Vitit 2025

16/12/2025 - 16:53
Va’rroset kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës
Lajme

Va’rroset kandidati për deputet të Kuvendit të Kosovës

16/12/2025 - 16:28

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ndahen paratë për këto kategori të pensioneve

    Ndahen paratë për këto kategori të pensioneve

    294 Shpërndaje
    Shpërndaje 118 Tweet 74
  • Faton Peci merr vendimin e parë si kryetar i Mitrovicës

    125 Shpërndaje
    Shpërndaje 50 Tweet 31
  • Qeveria në detyrë miraton kërkesën e Ministrisë së Financave për “kursime dhe ndarje buxhetore”

    153 Shpërndaje
    Shpërndaje 61 Tweet 38
  • Vazhdon përçarja e PDK-së në Drenas, Lladrovci i rikthyer në parti nga Hamza nuk merr pjesë në takim të Kryesisë me kandidatë

    93 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Vdes kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë