Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke kritikuar ashpër themelimin e Gjykatës Speciale.
Në reagimin e saj, LVV e ka cilësuar themelimin e kësaj gjykate nga Kuvendi i Kosovës si dëmin më të madh që, sipas saj, i është bërë historisë së luftës çlirimtare dhe themeleve të shtetit të Kosovës.
“Gjykata Speciale e ka padrejtësinë në themelin e saj. Me krijimin e saj, Kosova pranoi një rend të jashtëzakonshëm gjyqësor, me fushëveprim të drejtuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së”, thuhet në reagim.
Sipas LVV-së, me krijimin e kësaj gjykate është cenuar parimi i barazisë para ligjit, pasi njëra palë e luftës është veçuar për ndjekje penale.
“Jashtë këtij gjykimi mbeti shteti serb, me drejtuesit politikë, ushtrinë, policinë, burgjet, varrezat masive dhe gjithë makinërinë që kreu gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë”, thuhet më tej.
Në fund, LVV u ka bërë thirrje deputetëve që kanë votuar për themelimin e Gjykatës Speciale që të distancohen nga vota e tyre.
“Ata që e votuan Gjykatën Speciale duhet të distancohen nga vota e tyre, ta pranojnë gabimin dhe t’u kërkojnë falje qytetarëve të Kosovës dhe kombit tonë, luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre”, thuhet në reagim.
LVV ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili mbahet më 12 shtator në Prishtinë.
“Më 12 shtator marshojmë kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë, të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”, përfundon reagimi.













