Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur të shtunën se gjatë një bisedë telefonike me homologun iranian, Masoud Pezeshkian, është arritur një marrëveshje për të përshpejtuar dhe lehtësuar negociatat mes fuqive evropiane dhe Iranit në lidhje me programin bërthamor të këtij të fundit, njofton The Guardian.
Macron shprehu “shqetësime të thella” për programin bërthamor iranian gjatë bisedës, duke theksuar se qëndrimi i tij është i qartë: “Irani nuk duhet të pajiset kurrë me armë bërthamore.
I takon Iranit të japë garanci të plota se synimet e tij janë tërësisht paqësore”, ka thënë Macron.
Ai ka shprehur besimin se ekziston mundësia për një zgjidhje që mund të çojë në përfundimin e luftës dhe shmangien e rreziqeve të mëdha. Për këtë qëllim, ai theksoi se negociatat e udhëhequra nga Franca dhe partnerët e saj evropianë me Iranin do të përshpejtohen.