Maqedonci ka treguar se si qëndron situata e sigurisë momentalisht në Kosovë krahasuar me një vit më parë.
Ai pohoi se ka ulje të rrezikut veçanarisht brenda territorit të Kosovës.
“Vlerësoj se ka ulje të rrezikut veçanarisht brenda territorit të Kosovës. Dihet që për shumë vite në Kosovë kanë operuar veçanarisht në katër komunat veriore të Kosovës, kanë operuar grupe të organizuara kriminale dhe terroriste të mbështetura nga strukturat e sigurisë në Serbi, të cilat përveç destabilizimit të Kosovës kanë synuar edhe aneksim të territorit të Kosovës. Sot duke iu falenderuar institucioneve tona, vendimeve politike të qeverisë së Kosovës dhe veprimeve në terren të Policisë së Kosovës dhe strukturave të tjera të sigurisë kemi arritur që t’i mposhtim këto grupe terroriste mirëpo njëkohësisht kemi arritur që të shtrijmë administratën, funksionalizimin e shtetit, të shtrijmë shumë institucione dhe të rregullojmë shumë parregullsi në katër komunat veriore duke vendosur në tërësi një siguri më të plotë në territorin e Republikës së Kosovës. Problematike mbetet ende qasja hegjemoniste që Republika e Serbisë ka në raport me fqinjët, jo vetëm me Kosovën. Fatkqësisht përveç që është eksportuese është edhe strehuese e rrezikut, jo vetëm në Kosovës por edhe në Bosnje edhe në zonat e tjera dhe krejt kjo lidhet me bazamentin sepse të gjitha këto të tjerat janë pasoja kurse bazamenti, shkaku qëndron tek politika e pandryshuar hegjemoniste e Serbisë në raport me fqinjët. Serbia synon dominimin e regjionit, hegjemoni regjionale dhe kjo normalisht përkthehet me këto veprimet e grupeve terroriste, shërbimeve të saj sekrete por edhe veprimeve të tjera diplomatike kundër fqinjëve të saj” deklaroi Maqedonci.
“Në aspektin operacional në Veri, jo vetëm Policia e Kosovës…..ne patjetër kemi qenë të njoftuar, informuar, kemi bërë analizat tona dhe kjo tregon me të vërtetë që institucionet tona janë ‘pjekur’ për faktin që pas çdo veprimi, aktiviteti në terren bëhen edhe analizat të cilat pastaj nxjerrin edhe këto mësimet që i theksuar. Ndër mësimet e mësuara është edhe fakti që përpjekja jonë nuk duhet reshtur për të mos lënë që të krijohen ato situata kur në territorin e vendit tonë krijohet një ‘çerdhe’ e sigurtë e grupeve të cilat mund t’a destabilizojnë Kosovën. Po përveç benefiteve që i kemi patur në aspektin e sigurisë me veprimet e kaluara unë vlerësoj se përveç të tjerash ka benefit, ka krijuar mundësi edhe të aspektit ekonomik sepse vendi ynë për shumë vite i është ekspozuar një evazioni fiskal duke qenë se nuk ka kontrolluar një pjesë të madhe të territorit nga ku janë futur si kontrabandë shumë mallra të cilat kanë ndikuar në ekonominë e Kosovës.Besoj që shumë rrugë të kontrabandës janë ‘pre’, normalisht për rrugët e kontrabandës do të punohet në vazhdimësi për t’i mbuluar. Ne po modernizojmë edhe Policinë dhe Ushtrinë e Kosovës edhe me pajisje edhe me sistem të cilat po mundësojnë një paralajmërim të hershëm të aktiviteteve në kufi dhe do të vazhdojmë me këtë modernizim, si në aspektin e dronave, si në aspektin e kamerave apo edhe sistemeve të tjera. Ne patjetër që do të prodhojmë edhe drona në Kosovë” deklaroi Maqedonci












