Nëpër vite, familja Likaj është njohur për angazhimin e saj në biznes dhe për lidhjet me diasporën shqiptare, ku ka fituar edhe mirënjohje publike nga liderë të AAK-së. Sot, aktiviteti i tyre nuk kufizohet më vetëm jashtë vendit. Me dy kompani të regjistruara në emër të pjesëtarëve të familjes – Lika Trade dhe Lika Company, vetëm gjatë vitit 2025, ky grup ka nënshkruar kontrata publike në tre komuna të udhëhequra nga AAK-ja, në një vlerë rreth 40 milionë eurove, shkruan Demokracia.
Në Republikën e tendereve, ka një emër që po ecën me shpejtësi autostrade përmes komunave që drejtohen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), familja Likaj. E përqafuar publikisht nga liderët e kësaj partie, e dekoruar si kombëtare, dhe në disa raste e lidhur direkt familjarisht me ministra të AAK-së, kjo familje ka përfituar vetëm brenda pak mujave afro 41 milionë euro kontrata publike nëpër Deçan, Rahovec dhe Gjakovë.
Kush janë kompanitë? (të dhëna nga ARBK)
Lika Company SH.P.K. – E regjistruar më 15 mars 2021, me seli në Fushë Kosovë. Pronar figuron Jahir Likaj.
Lika Trade SH.P.K. – E regjistruar që më 2006. Pronarë janë Sali dhe Fadil Likaj.
Të dyja këto kompani, që operojnë si një grup konsorciumi nëpër tenderë publikë, ndajnë jo vetëm mbiemrin, por edhe fatin politik.
Të gjitha kontratat publike të fituara në vitin 2025:
Komuna e Deçanit (AAK – Bashkim Ramosaj)
Asfaltimi i rrugëve në fshatra (LOT 4) – 5,847,529.75 €
Ndërtimi i rrugës Lëbushë–Strellc u nënshkrua vjet në vlerë 7,817,638.89 €
Punë shtesë në rrugën Deçan–Pejë, segmenti Lëbushë–Strellc u nënshkrua sivjet në 781,716.00 €
Totali për Deçanin: 14,446,884.64 €
Komuna e Rahovecit (AAK – Smajl Latifi)
Asfaltimi Rahovec–Drenoc–Senoc–Pastasel–Polluzhë – 3,863,123.57 €
Rrethrrotullimi “Rija” – Dalja për Xërxë – 3,299,953.36 €
Ndërtimi i rrugës me katër korsi Rahovec–Xërxë – LOT 2 – 4,971,800.35 €
Ndërtimi i rrugës me katër korsi Rahovec–Xërxë – LOT 1 – 7,886,582.56 €
Totali për Rahovecin: 20,021,459.84 €
Komuna e Gjakovës (AAK – Ardiana Gjini)
Zgjerimi i rrugës “Tranziti i qytetit” – 5,691,318.69 €
Totali i tenderëve të vitit 2025, vetëm një në vitin 2024 për grupin Lika në komunat e AAK-së: 40,159,663.17 euro.
Në vitin 2020, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte vendosur t’i ndajë një medalje Esat Likajt, me motivacionin “për kontribut për çështjen kombëtare”. Medalja, me mbishkrimin “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”, u shpërnda sikur të ishte President i Republikës. Në Facebook, Haradinaj e quante këtë akt “shenjë falënderimi për familjen Likaj”.
Biznesi i familjes Likaj është i zgjeruar sidomos në Zvicër, ku për vite kanë qenë të pranishëm në komunitetin shqiptar si sipërmarrës të suksesshëm. Në një turne të tijin në diasporë, vitin e kaluar, Daut Haradinaj u prit ngrohtësisht nga kjo familje – vizitë e dokumentuar me fotografi dhe falënderime publike.
Po ashtu, më herët gjatë mandatit si kryeministër, Ramush Haradinaj kishte marrë pjesë në një pritje të organizuar nga Ali dhe Esat Likaj në Zvicër, duke i përshkruar ata si “patriotë të respektuar” dhe si shembull për bashkëatdhetarët që jetojnë në vende të huaja.
“Faleminderit për pritjen e ngrohtë dhe urime për suksesin”, kishte shkruar ai në Facebook.
Ndërkohë, një tjetër emër i njohur në këtë rrjet është Ramë Likaj, ish-ministër i Arsimit në qeverinë Haradinaj dhe kushëri i pronarëve të kompanisë Lika. Ai përmendet shpesh si pjesë e zgjerimit të bizneseve të familjes, që tashmë përfshijnë asfalt, ura dhe tenderë miliona eurosh.
Kompania ka fituar tender nga Komuna e Deçanit, tradicionalisht. /Demokracia