Veriu.info ka raportuar ekskluzivisht më 21 shkurt se Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë për katër vepra penale të fajdes ndaj biznesmenit Skender Bajrami, pronar i autosallon ‘Alberti’. Në të njëjtën aktakuzë, të akuzuar janë edhe Isak Ademi për ndihmë në fajde, avokati Avni Maxhuni për fajde dhe pronari i autosallonit ‘Royal’, Kreshnik Dervishi për fajde. (https://veriu.info/ekskluzive-skender-bajramit-te-auto-sallon-alberti-i-ngrihet-aktakuze-per-kater-vepra-penale-te-fajdes-dokument/)
Aktakuza ndaj Isak Ademi, Skender Bajrami, Avni Maxhuni dhe Kreshnik Dervishi është ngritur më 16 dhjetor 2025 nga prokurori Rasim Maloku.
Veriu.info ka mësuar se seanca fillestare për këtë rast do të mbahet më 25 maj 2026.
“Ndaj të akuzuarve I.A., A.M., K.D. dhe S.B., është caktuar seancën e shqyrtimit fillestar më datë 25.05.2026, në ora 09:30”, thuhet në një përgjigje të Gjykatës Themelore në Ferizaj për Veriu.info
Në artikullin paraprak të muajit shkurt, Veriu.info ka poseduar aktakuzën e redaktuar të ngritur nga prokurori Rasim Maloku ndaj këtyre katër personave të akuzuar për fajde dhe ndihmë në fajde. Mirëpo, tash Veriu.info ka siguruar aktakuzën e plotë ndaj tyre.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i ka propozuar gjykatës që të ftohen si dëshmitarë: Samir Bajrami, Fatlum Krasniqi, Samije Krasniqi, Milazim Veliu, Armend Gllareva, Ndue Kurti, Ardit Demolli.

Aktakuza për Skender Bajrami
Sipas aktakuzës, Skender Bajrami akuzohet se ka dëmtuar me 19 mijë euro biznesmenin Xhevdet Shala, i cili ishte detyruar të blejë nga pronari i autosallon “Alberti” një veturë “BMW X6” me çmim prej 86 mijë euro, po që të njëjtën menjëherë ia ka shitur të pandehurit për 67 mijë euro, të cilat para i dëmtuari i ka marrë kesh dhe më to ka paguar fajde tek një person tjetër.
Pronari i autosallon “Alberti” akuzohet se në fillim të vitit 2021 e në vazhdim e ka dëmtuar biznesmenin Xhevdet Shala, i cili kishte obligime nga pagesat e fajdeve te personat e tjerë, pasi që i dëmtuari është detyruar të blejë nga Skender Bajrami një “Taureg” me çmim prej 75 mijë euro, por të njëjtin menjëherë ia ka shitur Skender Bajramit për 46 mijë euro, duke i marrë këto para kesh e me të cilat ka paguar fajde tek një i pandehuri tjetër. Pra, brenda ditës Xhevdet Shala ka humbur 29 mijë euro.

Skender Bajrami dyshohet edhe që në vitin 2021 e në vazhdim, ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të biznesmenit Samir Bajrami, pronar i kompanisë “Ornela” që kishte obligime nga pagesat e fajdeve te personat e tjerë, duke kontraktuar shumë jo proporcionale të pasurisë. Sipas aktakuzës, Samir Bajrami është detyruar të blejë te Skender Bajrami një “Mercedes GLS2” për 30 mijë euro, të cilin me ndihmën e të pandehurit S.S. e ka shitur në auto sallon “Alberti” me çmim prej 14 mijë euro me kesh, duke pësuar dëm pasuror në shumë prej 16 mijë euro. Sipas prokurorit Rasim Maloku, Skender Bajrami me këtë veprim ka kryer veprën penale fajdeja.


Pika katër e aktakuzës për Skender Bajramin është më e rënda, pasi që akuzohet se për 65 mijë euro borxh i ka marrë të dëmtuarit gjashtë (6) banesa në Prishtinë, vlera reale e tregut në kohën e shitjes së tyre ishte rreth 300 mijë euro.
Sipas aktakuzës së prokurorit Maloku, Skender Bajrami dyshohet se në vitin 2013 e ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare që kishte i dëmtuari Fatlum Krasniqi për shkak të obligimeve të fajdeve ndaj personave të tjerë, duke kontraktuar shumë jo proporcionale të pasurisë, pasi që i ka shitur një veturë në vlerë 80 mijë euro, ku i dëmtuari i ka mbetur borxh 65 mijë euro, por që këtë borxh nuk ka arritur ta paguajë me kohë dhe kështu, pas disa ditësh Skender Bajrami e ka njoftuar të dëmtuarin se borxhi i është rritur në 200 mijë euro.
Për shkak të këtij borxhi i dëmtuari Fatlum Krasniqi dhe nëna e tij Samije Krasniqi janë detyruar të lidhin kontratë para noterit për shitblerjen e gjashtë (6) banesave në vlerë prej 200 mijë euro, në të cilën kontratë si blerës është paraqitur A.M. nga Prishtina. Aktakuza thotë se vlera e tregut e këtyre banesave në atë kohë ka qenë 300 mijë euro.
Aktakuza për Isak Ademi
Ish noteri Isak Ademi akuzohet nga prokurori Rasim Maloku se ka kryer veprën penale ndihmë në fajde, pasi që ekziston dyshimi i bazuar që më 9 nëntor 2013 ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndihmuar të pandehurin Avni Maxhuni në kryerjen e veprës penale fajdeja.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se me datën 09 nëntor 2013 në Prishtinë, si noter duke keqpërdorur detyrën zyrtarë ka ndihmuar të pandehurin Avni Maxhuni ne kryerjen e veprës penale fajdeja në atë mënyrë që si noter ka përpiluar kontrata ne mes të F.K dhe S.K si shitës dhe Avni Maxhunit si blerës për shitblerjen e 3 banesave me çmim prej 200 mijë euro, kurse të njëjtën ditë i pandehuri si noter ka përpiluar prokurë gjenerale me te cilën F.K. dhe S.K. e autorizojnë Avni Maxhunin për shitjen e të njëjtave banesa, kurse me datë 25.05.2025 ka përpiluar marrëveshjen për shkëputjen dhe anulimin e para-kontratës mbi shitblerjen e banesave kurse prokura gjenerale ka mbetur në fuqi pasi që i pandehuri Avni Maxhuni kishte lidhur te gjitha kontratat për shitblerjen e 6 banesave si përfaqësues i autorizuar i F.K. dhe S.K. kurse paratë i ka bartur në llogarinë e tij personale, e për te cilin fakt i pandehuri si Noter kishte njohuri pasi që të gjitha këto kontrata ishin lidhur në zyrën noteriale te tij, duke i shkaktuar dëm pronarëve në vlerë rreth 300 mijë euro”, thuhet në aktakuzën e ngritur për Isak Ademi.

Aktakuza për Avni Maxhuni
Sa i përket të akuzuar Avni Maxhuni, tash avokat, në aktakuzë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se më 9 nëntor 2013 ka ndihmuar të pandehurin Skender Bajrami në kryerjen e veprës penale fajdeja, duke lidhur parakontratë fiktive te noteri me pronarët Fatlum Krasniqi dhe Samije Krasniqi për blerjen e 3 banesave në katin të parë dhe 3 banesave në katin e dytë në objektin banesor që ishte duke u ndërtuar për çmim prej 200 mijë euro.

Në aktakuzë thuhet se Avni Maxhuni e ka ditur se shitësit janë detyruar të lidhin këtë parakontratë me qëllim që të paguajnë këtë shumë në emër të fajdes, për veturat që i dëmtuari Fatlum Krasniqi i kishte marrë në autosallonin “Alberti” me pronar Skender Bajrami.

Aktakuza për Kreshnik Dervishi
Sipas aktakuzës, Kreshnik Dervishi dyshohet se më 18 mars 2022, në autosallonin “Royal”, ka kontraktuar shuma jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të shkaktuar nga pandemia, në atë mënyrë që i dëmtuari Besim Gashi për shkak të obligimeve ndaj personave të tjerë për fajde, është detyruar të blejë një “Porsche”, një “Audi Q8” dhe një “Mercedes” për çmim prej 230 mijë euro, të cilat vetura i ka shitur në të njëjtin autosallon për çmim prej 133 mijë euro, që të paguajë borxhin dhe shumën e parave të fajdes për të pandehurin S.S., duke pësuar dëm pasuror rreth 100 mijë euro.

Vepra e dytë, e cilësuar si fajde, me të cilën e ngarkon prokurori Rasim Maloku, ka ndodhur në vazhdimësi gjatë viteve 2020–2022, ku dyshohet se Kreshnik Dervishi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit Xhevdet Shala, që e kishte për shkak të fajdeve te personat e tjerë, duke i shitur disa vetura, të cilat ia ka blerë menjëherë me çmime dukshëm më të lira.
Aktakuza e ngritur më 16 dhjetor e ngarkon me një vepër penale të fajdes edhe më të rëndë, pasi që dyshohet se Kreshnik Dervishi e kishte detyruar të dëmtuarin të shes një hektar tokë në lagjen “Arbëria” (ish-Dragodan) të Prishtinës për borxhin që kishte ndaj tij.
Deklarata e Samije Krasniqi
Sipas aktakuzës, Samije Krasniqi ka deklaruar se ka trashëguar tokë në lagjen “Arbëria” (ish Dragodan) pas vdekjes së burrin në vitin 2010, ku është ndërtuar kompleksi banesor “Tregtia”, të cilën e ka lëshuar në këmbim të marrjes së 30 banesave dhe 2 lokaleve.
Sa i përket hyrjes në fajde të djalit të saj, Fatlumit, ajo ka thënë se e kishte kuptuar pasi që ishte kontaktuar përmes telefonit nga Skender Bajrami, pronar i autosallon “Alberti”, i cili i kishte thënë: “Djali juaj i ka 200 mijë euro borxh”.
Kur është takuar me Skender Bajramin, Samije Krasniqi thotë se ai i kishte kërkuar 400 m2 banesa në katin e parë dhe të dytë, të cilat ajo thotë se ishte detyrar t’ia jap, për që pas nënshkrimit kishte dalë se ia kishte marrë 437 m2 banesa.
Samije Krasniqi gjatë deklaratës ka thënë se pasi që e ka kuptuar se ia kishin marrë 37 m2 banesa më shumë, është revoltuar dhe i kishte thënë Avni Maxhunit se ka me shku derë me derë me këqyr se kush i ka blerë këto banesa, po që ky i ishte përgjigjur me fjalët: “Mo mo motra jem mo, se ka këtu edhe prokuror që kanë ble banesa, bohet puna llug mo mos shko”

Deklarata e Fatlum Krasniqi
Sipas aktakuzës, Fatlum Krasniqi në deklaratën e dhënë në Drejtorin për Hetimin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës, ka thënë se në autosallonin “Alberti” fillimisht e ka blerë një veturë “AUDI A6” për 28 mijë euro, të cilën e ka paguar në tërësi përmes bankës, por që më vonë këtë veturë e ka ndërruar në këtë autosallon dhe e ka marrë një “BMW X6” për çmim prej 80 mijë euro, kështu që është dashur ta paguaj diferencën prej 65 mijë euro.

Çka kishte deklaruar në prokurori Skender Bajrami
I akuzuari për katër vepra penale të fajdes, Skender Bajrami, pronar i autosallon “Alberti” më 5 dhjetor 2025 kishte deklaruar se mbetet në tërësi pranë deklaratës së dhënë para hetuesve të krimeve të rënda në ditën e arrestimit.
Sa i përket ballafaqimit të deklaratave të tij më të dëshmitarëve bashkëpunues lidhur me veturat e blera dhe shitura në autosallon “Alberti”, Skender Bajrami ka deklaruar se janë plotësisht të pavërteta.
Lidhur me shit-blerjen e veturave, Skender Bajrami ka thënë kontratat i përpilojnë dhe nënshkruajnë kontabilistët e ndërmarrjes, kurse pagesat janë bërë përmes llogarisë dhe kesh.
Gjatë kësaj deklarate Skender Bajrami ka thënë se as atij e as vëllaut të tij, Enver Bajramit, nuk i kujtohet se Fatlum Krasniqi kishte blerë veturë në autosallonin e tij, duke shtuar se dokumentacionin e ruajnë vetëm për 10 vite dhe pas kësaj periudhe nuk mund të identifikohen blerësit.

Ndryshe, më 2 mars të vitit 2023, Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës kishte zhvilluar një aksion, ku kishin bastisur disa shtëpi, lokale e autosallone në shumë qytete të Kosovës, duke arrestuar 15 persona të dyshuar për dhënie të fajdes, detyrim dhe shmangie nga tatimi. Personat e arrestuar në këtë aksion ishin: Besnik Salihu, Fadil Salihu, Egzon Salihu, Skender Bajrami, Ardi Saraqi, Shefik Rexhepi, Lindrit Haradinaj, Ramiz Ademi, Mujë Ademi, Kadri Gerbeshi, Ajvaz Muzaqi, Bashkim Osmani, Bahri Abazi, Nexhmi Abazi dhe Shukri Haxhiu.
Për të gjithë këta persona të arrestuar asokohe, por edhe për shumë të tjerë të përfshirë në këtë rast, prokurori Rasim Maloku ka ngritur aktakuza nën dyshimin për dhënie të fajdeve, për ngritjen e të cilave Veriu.info ka raportuar ekskluzivisht.
Në një përgjigje për Veriu.info, Gjykata Themelorë në Ferizaj ka treguar se seancë fillestare është caktuar edhe për një rast tjetër të fajdes, por e cila mund të shtyhet me kërkesë për shkak të kërkesës së njërit prej avokatëve. Kjo seancë fillestare pritet të jetë më e shkurt, pasi që të akuzuarit Gëzim Sinani, Salih Sinani dhe Dardan Rama e kanë pranuar fajësinë, sikurse që edhe Ibrahim Gërbeshi e ka pranuar fajësin për veprën penale mashtrimi me të cilën ngarkohet në këtë aktakuzë.
“Ndaj të akuzuarve G.S., S.S., D.R., dhe I.G., jemi njoftuar se është caktuar seanca e shqyrtimit fillestar më datë 04.05.2026, në ora 09:30, mirëpo njëri nga mbrojtësit ka paraqitur kërkesë për shtyrjen e seancës, për shkak se është i angazhuar në të njëjtën kohë me një seancë tjetër, ashtu që marrë parasysh kërkesën e mbrojtësit mund të ketë ndonjë ndryshim eventual të datës apo orës së fillimit të seancës”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Ferizaj për Veriu.info.















