Një incident i rëndë është shënuar mëngjesin e djeshëm në Shtime, ku një qytetar ka kanosur punonjësit e Komunës dhe ka shkaktuar dëme materiale brenda objektit zyrtar.
Ngjarja ka ndodhur, më 26.12.2025, rreth orës 08:10, në rrugën “Tahir Sinani”, përkatësisht në hapësirat e Komunës së Shtimes. Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari H. H, ka hyrë në objekt duke mbajtur një sëpatë, me të cilën ka kanosur punonjësit e komunës, duke u thënë se do t’i presë me sëpatë.
Po ashtu, i njëjti ka goditur me sëpatë kornizën e dritares së sportelit, duke shkaktuar dëme materiale.
Pas incidentit, i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Shtime. Megjithatë, për shkak të problemeve shëndetësore që dyshohet se i ka, intervistimi i tij nuk ka qenë i mundur.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit janë iniciuar veprat penale “Kanosje” dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, ndërsa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa hetimet janë në vazhdim.













