Marrëveshjet e fundit për blerjen e rrjeteve të marketeve në Shqipëri nga kompania “Viva Fresh Store”, e udhëhequr nga biznesmeni me prejardhje nga Shtimja, Xhevdet Rexhepi, kanë nxitur reagime dhe pretendime të shumta në disa media të Tiranës. Portalet mediatike në Shqipëri, veçanërisht mediumi “Prapaskena”, kanë ngritur dyshime rreth transaksioneve financiare dhe mënyrës se si kjo kompani po arrin të bëjë blerje të mëdha në tregun e pakicës.
Sipas shkrimit të publikuar nga “Prapaskena”, zgjerimi i shpejtë i biznesmenit kosovar – përfshirë blerjen e rrjetit “Spar” dhe pretendimet për marrjen e “Eco Market” – po shoqërohet me pikëpyetje mbi prejardhjen e kapitalit të përdorur. Mediumi në fjalë ngre pretendime se këto lëvizje tregtare mund të fshehin procese jo-transparente financiare, ndonëse deri më tani këto mbeten vetëm pretendime të medias dhe nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar apo hetim nga autoritetet përkatëse.
Më tej, artikulli i “Prapaskenës” hedh dyshime edhe mbi rolin e institucioneve rregullatore në Shqipëri, posaçërisht Autoritetit të Konkurrencës të drejtuar nga Denar Biba. Sipas pretendimeve të këtij mediumi, miratimi i këtyre blerjeve rrezikon të krijojë një monopol në tregun e ushqimeve dhe konsumit, duke favorizuar përqendrimin e tregut në pak duar.
Përkundër pretendimeve dhe aludimeve të ngritura nga “Prapaskena”, mbetet për t’u parë nëse organet ligjzbatuese apo Autoriteti i Konkurrencës do të kryejnë verifikime zyrtare lidhur me këto transaksione. Deri atëherë, të gjitha pretendimet e publikuara mbeten në kuadrin e raportimeve mediatike dhe dyshimeve të ngritura nga ky portal./Prapaskena













