Gazetari Lirim Mehmetaj ka komentuar qëndrimin e institucioneve dhe partive politike në Kosovë lidhur me zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimeve të fundit të gjykatës në Hagë.
I ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Mehmetaj ka kritikuar veçanërisht qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, duke argumentuar se, sipas tij, ekziston një hezitim për të ndërmarrë hapa konkretë në raport me vendimin e Gjykatës Speciale.
Mehmetaj ka thënë se partitë politike duhet të tregojnë qartë se çfarë synojnë të bëjnë për të kundërshtuar atë që e konsiderojnë si vendim të padrejtë, në vend që të mjaftohen vetëm me deklarata politike.
“Por duhet me ardhë një moment ku duhet me u pozicionu përnjëmend. Hiqe lojën, hiqe retorikën. “Situata është kjo, vendimi është konstatuar edhe prej teje si i padrejtë. Çka ke me bë? Nëse s’po don me bë kurrgjë, trego pse s’po don?”
“Unë po të betohem që një prej arsyeve pse gjykata dhe persona si ai Smithi e kanë pas mundësinë me dhënë vendime të padrejta, duke e ditur që janë të padrejta. Sot, as juristët më të mirë nuk e kanë idenë me çfarë faktesh janë lidhur personat e akuzuar me krimet”, ka deklaruar ai.
Ai ka kritikuar gjithashtu retorikën politike që, sipas tij, është përdorur ndaj atyre që kanë mbështetur themelimin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se sot duhet të ketë një qasje më konkrete përballë vendimeve të saj.
“Ti nuk mundesh me i ardhë një 18-vjeçari me argumentin ‘ata vetë e kanë votuar’. Ai të thotë: nuk më intereson, ti je kryeministër, ti je qeveri, vendimi është i padrejtë dhe vetë e ke thënë që është i padrejtë. Bëj diçka”, është shprehur ai.












