Njeriu i Lëvizjes Vetëvendosje, Mentor Hyseni është emëruar drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës.
Kështu ka njoftuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve përmes një deklarate në Facebook.
“Pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar Drejtori i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni”.
Ministria thotë se procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë.
“MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”.
Hyseni në vitin 2019 kishte aderuarur në Vetëvendosje, aderim për të cilin pati shkruar edhe vetë Albin Kurti.
“Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Pubiike në vendin tonë”, kishte shkruar Kurti.
Hyseni, në vitin 2021 ai ishte emëruar anëtar i bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për t’u bërë dy vite më pas, kryesues i këtij bordi në këtë institucion.
Por, krahas kësaj pozite, Hyseni s’kishte mbetur pa gjë në Qeverinë Kurti 1, ku ishte emëruar anëtar i përkohshëm i bordit në “Ujësjellësi Prishtina”.
Hyseni ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e vitit 2019, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.
Më 21 korrik të vitit 2021 ishte ngritur aktakuzë ndaj Mentor Hyseni për deklarim të rrejshëm të pasurisë.
Një gjë e tillë ishte konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
“Prokurori i Shtetit pas shqyrtimit të lëndës dhe analizimit të provave ka ngritur Aktakuzë pran Gjykatës Themeiore në Prishtinë kundër të pandehurit Mentor (Heset) Hyseni, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.