Njëri ndër personat më të zëshëm kundër martesave mes gjinisë së njejtë në Kosovë, kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku po vazhdon ta mbrojë idenë e familjes në botëkuptimin tradicional.
Kampanja e tij, por jo vetëm, vazhdon të gravitojë rreth vlerave tradicionale, ku mbisundon retorika mbi besimin në Zot dhe vlerat familjare.
Qendrimet e tija kanë shpërthyer barrierat partiake dhe të njëjtat janë përkrahur edhe nga deputet dhe politikan të shumtë nga parti të ndryshme.
Vijat e kuqe për Projekt- Kodin Civil, të cilat Lushtaku i ka shprehur pa rezervë, janë përkrahur edhe nga aktivistë tjerë politik e figura publike.
Gashi, e cila u konsiderua si “vlerë dhe vlerësim për VETËVENDOSJE!” nga kryeministri Kurti, theu ‘njëmendësinë’ e partisë VETËVENDOSJE! duke u deklaruar kundër martesave të gjinisë së njejtë.
Ajo, asokohe doli haptas kundër Vetëvendosjes dhe votën e saj e pati deklaruar se do ta jep për Mergim Lushtakun e PDK-së, të cilin e cilësoi si “i vetmi prej pjestarëve të dy partive tjera të mëdha, deputetët e të cilave ikën e nuk morën përgjegjësi për votim të Kodit Civil” dhe “i cili e bëri diferencën”.
Kodin Civil e kundërshtuan edhe shumë të tjerë brenda VETËVENDOSJE!-s, por edhe jashtë saj.
Edhe Nora Huseinovic Veliu, avokate dhe aktiviste, e pati kundërshtuar zëshëm Kodin, dhe njëherit e pati cilësuar tejet të rëndësishëm deputetin Lushtaku, të cilit ia dha epitetin Deputeti 29, i cili sipas saj, “krijoi kuorum, nuk qëndroi pasiv dhe zëshëm u deklarua kundër Projekt – Kodit Civil”.
Deputeti Lushtaku, i pyetur për qëndrimet e tija, është shprehur se, bota dalngadalë po kthehet në binarë dhe po e kupton se përparimi dhe modernja nuk janë domosdoshmërisht antivlerat dhe devijimet.
“Shteti më demokratik në botë, SHBA-ja, po vendos vija të kuqe se çka është njeriu, femër dhe mashkull. Shembuj të tillë domosdo duhet të ndjekim edhe ne”, përfundoi Lushtaku.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lushtaku po garon edhe për një mandat në Kuvendin e Kosovës, ku po kërkon përkrahje anembanë vendit duke synuar votën e atyre që besojnë fuqishëm se vlerat e familjes me në qendër besimin në Zot, nuk duhet të cenohen asnjëherë dhe nga askush.