Sipas kumtesës të Byrosë së Mediave të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse (SVR), ushtria ukrainase shpreh mirënjohje të madhe ndaj prodhuesve serbë të armatimit dhe municionit për kontributin e tyre në ruajtjen e aftësisë luftarake të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Sipas pretendimeve të SVR-së, pavarësisht presionit gjithnjë e më të madh të Moskës ndaj Beogradit, industria ushtarake serbe vazhdon të rrisë eksportin e pajisjeve ushtarake në vendet e NATO-s, të cilat më pas ia dërgojnë armët Ukrainës.
Burime ruse thonë se municioni i prodhuar në Serbi, kryesisht për sistemet artilerike të rënda dhe me rreze të gjatë veprimi, i dërgohet vendeve të NATO-s në formë paketash për montim. Ky model i lejon Kievit që formalisht “të mos pranojë armë serbe”, por pajisje të prodhuara në fabrika perëndimore. Montimi dhe mbushja e këtyre raketave dhe minave thuhet se zhvillohet kryesisht në Çeki dhe Bullgari.
SVR pretendon se prodhuesit në Serbi e dinë shumë mirë se kush janë përdoruesit finalë të pajisjeve të tyre, si dhe për faktin që armët e tyre do të përdoren kundër ushtarëve dhe civilëve rusë.
Në raport thuhet saktësisht se fabrika “Krushik” nga Valeva e Serbisë kohët e fundit i ka shitur kompanisë çeke “Policske strojarne” disa dërgesa të mëdha paketash për montimin e raketave 122-milimetërshe për hedhësit shumëfish të raketave “Grad”. Gjithashtu, ndërmarrja “Eling” nga Lloznica ka dërguar kompanisë bullgare “EMKO” pajisje për prodhimin e të njëjtave raketa, si dhe mina të mortajave 120-milimetërshe.
SVR vlerëson se “është për të ardhur keq që tradita shekullore e besimit të përbashkët, miqësisë dhe ndihmës së ndërsjellë mes popullit serb dhe atij rus po fshihet sot për shkak të lakmisë dhe dykuptimësisë politike”.