Po vijon prej 6 orësh procesi penal ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit në GJKKO.
Avokati mbrojtës i ish-presidentit, kërkoi të thirren 11 dëshmitarë në këtë proces lidhur me ndryshimin e ligjit për minierat.
Ndër emrat e kërkuar janë kryeministri Edi Rama, Esmeralda Shkjau, Eduart Shalsi, Namik Kopliku, Zamir e Eva Mane, Gramoz Ruçi, si edhe Petrit Vasili e Taulant Balla, raporton abcnews.
Prokuroria e Posaçme pretendon se SPAK-u ka bërë ndryshimet në ligjin për minierat me qëllimin favorizimin e një biznesmeni të vetëm dhe në këmbim, sipas SPAK, ka përfituar një vilë në Rolling Hills.
Meta kundërshtoi provat e SPAK duke thënë se nuk ka patur asnjë komunikim me asnjë biznesmen, ndërsa kërkoi nga trupi gjykues të thërrasi një ekspert të pavarur në fushën e minierave për të parë se nga ky ndryshimi ligjor sa subjekte kanë përfituar në tëresi.
“Duke mbështetur qendrimet e avokatit, gjykata nëse çmon të arsyshme do ishte me vlerë të thërriste një ekspert të pavarur në fushën e minierave për të parë se nga ky ndryshimi ligjor, sa subjekte kanë përfituar në tërësi. Për të parë nëse ka qenë apo jo një ligj i dobishëm. Duke marrë edhe të dhënat se sa subjekte kanë përfituar nga ai ligj në atë moment, janë rreth 300 në dijeninë time dhe sa kanë perfituar nga ajo kohë deri më tani, sepse numri është shtuar. Jeni përballë një fantazie të shfrenuar. Ne kemi jetuar deri në 2009 te shtëpia e nënës së ish-bashkëshortes time. Mamaja e saj ka bërë një kontratë sipërmarrjeje me një ndërtues për të bërë një pallat. Jemi vendosur te Blloku, kemi qendruar aty rreth 4 vite. Ndërtesa ishte me probleme dhe Blloku ka ndotje akustike dhe probleme të tjera. E kisha të pamundur të bëja aktivitet sportiv, të dilja shëtitje, e të tjera, dhe vendosëm per të ikur, jo me qëllimin që të merrnim një vilë. Donim hapësirë që të kishte akses për aktivitete sportive. Kërkesa e parë ishte për të marrë një ambient te Qemal Stafa” tha Meta.
Lidhur me vilën në Rolling Hills, ai tha se nuk ka jetuar asnjë ditë atje.
“Nuk isha dakord për ambient te Rolling Hills, kishim tre fëmijë të vegjël. Aty kishte shumë politikanë dhe figura të njohura, nuk më jepte kënaqësi qëndrimi atje. Avokati e tha qartë, ne nuk e dinim që një dite do gjendej një telefon me biseda. Veprimet kanë qenë shumë të qarta. Kryetari i Kuvendit ka vetëm të drejtë të drejtojë seancat etj., në pikëpamjen e ligjvënies ka vetëm një votë nga 140. Nëse gjykata e çmon të rëndësishëm episodin e ndryshimit të ligjit për minierat, të thërrasë ekspertin dhe të shpjegojë është bërë apo jo vetëm për 1 person, vetëm për interes të një individi dhe si ka ndikuar. Për shtetin është bërë mire sepse është forcues sigurie. Për këtë ligj, nuk ka asnjë komunikim timin me zotin Mane apo me ndonjë person tjetër. Prokurori Kllapi ne seancën e kaluar, vajti deri aty sa gënjeu dhe tha se kam komunikuar me atë dhe këtë deputet. 100% e pavërtetë. Unë nuk kam asnjë përfshirje as në këtë ligj, as në ndonjë ligj tjetër. Historia synon shpikjen e lidhjeve të paqena, nuk kam diskutuar ndonjëherë me ndonjë njeri për diçka të tillë“ vijoi më tej Meta.














