Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur në Bulevardin ‘Mbreti Aleksandar’, afër Parlamentit të Serbisë, në protestën me kërkesë të studentëve, të cilët kanë bllokuar universitetet në këtë shtet që tre muaj e gjysmë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 15 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Kordoni policor është stacionuar rreth ndërtesës së Presidencës së Serbisë, për të garantuar siguri në ndërtesë dhe Parkun e Pionierit.
Zona është e mbyllur për trafik.
Protesta në Beograd është organizuar pas marsheve masive që janë organizuar nga studentët në Novi Sad, Kragujevc dhe Nish.
Mijëra studentë kanë mbërritur në Beograd në mbrëmjen e së premtes, pas një rruge të gjatë që kanë bërë prej rajoneve të ndryshme të Serbisë.