39 deputetë të legjislaturës së kaluar nuk kanë arritur të sigurojnë votat e mjaftueshme për të marrë edhe një mandat tjetër për të përfaqësuar qytetarët në organin legjislativ të vendit. Në mesin e tyre deputetë të njohur, shefa të grupeve parlamentare e edhe ish-ministra.
Kur janë bërë 10 ditë të plota që prej përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur numërimin e 80 për qind të votave. Pa numëruar akoma kanë mbetur edhe 19 vendvotime.
Në bazë të të dhënave të publikuara nga media të ndryshme, janë mësuar edhe emrat e deputetëve të cilët kanë fituar votat e mjaftueshme për të siguruar një mandat si deputetë.
Megjithatë, listat mund të ndryshojnë në përqindje të vogël.
Me votat e numëruara deri më tani dhe bazuar në EXIT POLL-et, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve me rreth 41% të votave që “përkthyer” në deputetë llogaritet të ketë rreth 47 ulëse.
Partia Demokratike e Kosovës ka arritur të sigurojë 25 ulëse për kandidatët e saj, LDK-ja 20, kurse AAK-NISMA 8.
Lëvizja Vetëvendosje do të paraqitet me disa deputetë tjerë këtë legjislaturë.
22 deputetë që kishin përfaqësuar votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje legjislaturën kaluar nuk do të jenë pjesë e kuvendit. Në mesin e tyre edhe ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.
Agon Batusha, Alban Bajrami, Ardian Gola, Arta Bajralia, Besim Muzaqi, Driton Hyseni, Ekrem Mustafa, Enver Dugolli, Enver Haliti, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Gani Krasniqi, Gramos Agusholli, Hydajet Hyseni, Jetmire Vrenezi, Milazim Salijaj, Mirlinda Tishukaj, Mirsad Shkreta, Nasuf Bejta, Nijazi Isaku, Shqipe Isufi dhe Vendenis Lahu, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në këto zgjedhje nuk kanë arritur votat e mjaftueshme dhe rrjedhimisht kanë mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës.
Ndërkaq, për herë të parë si deputetë do të hyjnë: Nezir Kraki, Liza Gashi, Valon Hoti, Agim Bahtiri, Bajram Mavriqi, Ilir Kërçeli, Jeton Raka dhe Burim Demiri. Ata janë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, si parti e dytë, jashtë Kuvendit të Kosovës nga legjislatura e kaluar kanë mbetur 7 deputetë, në mesin e tyre edhe Xhavit Halitit, i cili ka qenë deputet që prej themelimit të Kuvendit të Kosovës.
Jashtë Kuvendit nga PDK-ja kanë mbetur edhe Ardian Kastrati, Eliza Hoxha, Florete Zjenullahu, Hajdar Beqa, Hisen Berisha e Isak Shabani. Ndërkaq 9 kandidatë do të paraqiten për herë të parë në kuvend si pjesë e kësaj partie.
Megjithatë duke llogaritur plotësimin e kuotës gjinore vendet mund të ndryshojnë.
Jashtë Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbetur shefi i grupit parlamentar, Arben Gashi.
Përpos Gashit, LDK-ja nuk do të përfaqësohet në Kuvend as nga Drita Millaku, Driton Selmanaj, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku e Vlora Dumoshi.
Megjithatë, ndryshimet në listën e LDK-së mund të jenë më të mëdha duke llogaritur edhe mandatet që i kanë fituar kryetarët e komunave si dhe kuota gjinore.
Sikurse te LDK-ja edhe te AAK-ja jashtë Kuvendit ka mbetur shefi i grupit parlamentar. Këtë legjislaturë Besnik Tahiri nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Përpos Tahirit, votat e mjaftueshme për një ulëse në Kuvend nuk kanë siguruar as ish-ministri Pal Lekaj, as Shemsedin Dreshaj e as Albana Bytyqi.













