Ministria e Mbrojtjes së Kosovës në një përgjigje me shkrim për VOX Kosova ka deklaruar se nuk është e përfshirë në kurrfarë testimi të dronëve me emrin “Skifter 1” e as të ndonjë droni tjetër.
“Ministria e Mbrojtjes nuk ka qenë në asnjë mënyrë e përfshirë në asnjë testim të dronit të prezentuar si Skifter K1. Bazuar në njohuritë tona asnjë nga institucionet e Kosovës nuk ka qenë pjesë e ndonjë testimi të tillë”, thuhet në përgjigje.
Para disa ditësh një person me emrin Rdivan Aliu, pronar i një kompanie të quajtur “Future Minds Academy” doli me dy video në profilin e tij në Facebook ku pretendonte se kompania e tij bashkë me partnerë po prodhon dhe shet dronë ushtarakë dhe të cilët janë testuar e kanë rezultuar tejet efikasë.
Por, siç u zbulua nga mediat më pas, videot e prezantuar të testimit të dronëve rezultuan të jenë video të disa kompanive kineze ku testoheshin dronët e prodhuara nga ata.
Ministria në përgjigje për VOX thotë se “në Republikën e Kosovës autoriteti për dhënien e lejeve të fluturimeve në hapësirën ajrore është Komandanti i KFOR në bashkëpunim me ASHNA” dhe se “Ministria e Mbrojtjes nuk ka lëshuar asnjë leje dhe as nuk ka dhënë autorizim zyrtar për ndonjë aktivitet të natyrës së tillë”.
Nga ministria po ashtu kanë bërë të ditur se janë në dijeni për publikimet e mediave dhe “dyshimet e ngritura që video e publikuar rreth performancës dhe qëllimit të targetit mund të jenë marrë nga burime të huaja dhe këtë aspekt institucionet përkatëse në përputhje me kompetencat ligjore janë duke e hulumtuar rastin, vërtetësinë e videos dhe autencitetin e dronit”.
Sa u përket disa pamjeve që janë shfaqur të ministrit Ejup Maqedonci me personin Ridvan Aliu, i cili mashtrueshëm pretendoi se po ndërton dronë ushtarakë në Kosovë, në përgjigje të ministrisë thuhet se ajo ishte vetëm pjesëmarrje e përbashkët në një garë të organizuar nga vetë ministria e Oda Ekonomike Amerikane për inovacion dhe teknologji.
“Gjatë muajit tetor të vitit të kaluar është zhvilluar një aktivitet i përbashkët në vlerësimin e individëve dhe kompanive kosovare që punojnë në inovacion dhe zhvillim të dronëve të vegjël komercial dhe atyre për përdorim të mundshëm për përdorim të dyfishtë, civil dhe ushtarak”.
“Në atë aktivitet janë vlerësuar inovacionet e disa inovatorëve të dronëve me helika/rotorë dhe jo dronëve me krahë (fixed wings)”.
“Vlerësimi është bërë nga ekspertët e fluturakeve pa pilot të FSK-së. Në mes të inovatorëve të vlerësuar ka qenë dhe Kompania Future Minds Academy e cila është vlerësuar me çmimin e parë për prototipin e dronit me helika ( jo të ndonjë lloj droni tjetër, pra as te dronit që është prezantuar si Skifter K1)”, përfundon përgjigja e ministrisë.












