Shtëpia më e vjetër në Mitrovicë, ajo e familjes Korogli, e stilit otoman e ndërtuar në shekullin XIX, së fundi është dëmtuar qëllimshëm, gjë për të cilën raportoi ekskluzivisht Gazeta Online Veriu.info.
Sipas burimeve të gazetës Veriu.info dhe banorëve të zonës, kjo shtëpi po synohet të rrënohet për të krijuar kushte për ndërtuesit që të ndërtojnë banesa në këtë zonë.
Gazeta raportoi se kjo shtëpi gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje te Përkohshme të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, listë e cila është hartuar me vendim të ministrit të MKRS-së të datës 7 tetor 2022.
Veriu.info ka hulumtuar legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe ka parë se në bazë të Rregullores Nr. 01/2022 të MKRS-së për Përcaktimin e Perimetrit të Zonës Mbrojtëse të Aseteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Politikave për Konzervimin dhe Zhvillimin e tyre, nuk lejohet ndërtimi në të paktën 50 metra afërsi rreth objekteve që gjenden në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka kthyer përgjigje në pyetjet e Veriu.info duke konfirmuar se objekti është dëmtuar në mënyrë të qëllimshme, evidentuar sipas autoriteteve përkatëse.
Në përgjigjen e saj MKRS ka thënë se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme që objekti të mbrohet nga rreziku i mëtejmë.
Po ashtu MKRS ka thënë se Inspektorati për Trashëgimi Kulturore ka ndërmarrë veprime për ndalimin e punëve të paautorizuara dhe janë iniciar kallëzimet e nevojshme.
“Në bashkëpunim me organet kompetente, janë ndërmarrë veprimet nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore për ndalim të punëve të paautorizuara dhe janë iniciuar kallëzimet e nevojshme.” – deklaron MKRS për Veriu.info.
“Janë një varg masash që autoritetet përkatëse janë dakorduar që të ndërmerren, si: monitorimi i monumentit nga Policia e Kosovës brenda çdo një ore deri në ndryshim të rrethanave; rrethimi i monumentit të rrezikuar, për të siguruar ndërtesën dhe kalimtarët e rastit nga MKRS; hartimi sa më i shpejtë i projektit ideor nga QRTK-Mitrovicë dhe IKMM-ja për masat e sigurisë-ndërhyrjeve emergjente dhe pajisja me pëlqim, jo më larg se deri në fund të kësaj jave.” – thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Ky institucion po ashtu ka deklaruar se restaurimi dhe konservimi i objektit nuk është lejuar nga pronarët e shtëpisë.