Analisti Fitim Mulolli ka deklaruar se brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) vazhdojnë pakënaqësitë ndaj lidershipit të kryetarit Lumir Abdixhiku, pavarësisht se ai e fitoi mocionin e mëparshëm të votëbesimit.
“Jo shumë kohë më parë, ne patëm një mocion votëbesimi ndaj kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku… u tentua të shkarkohej, nuk mundën dhe mbeti. Tani hymë në zgjedhje dhe zgjedhjet prodhojnë një momentum të ri”, tha Mulolli.
Ai vlerësoi se LDK-ja nuk ka pësuar rënie në votë, por se brenda saj ka pakënaqësi të konsiderueshme.
“Ka pakënaqësi të mëdha brenda. Shihet që disa prej figurave më të mëdha brenda Lidhjes Demokratike po kërkojnë lidership të ri, po kërkojnë ndryshim”, u shpreh ai.
Sipas Mulollit, një grup i pakënaqur po mbledh nënshkrimet e delegatëve për të thirrur Kuvendin e partisë, ku mund të kërkohet votëbesim i ri për Abdixhikun.
“Ndonëse degët si të tilla ndoshta numerikisht janë në favor të zotit Abdixhiku, numri i delegatëve mund të mos jetë dhe mund të jetë kundër zotit Abdixhiku”, deklaroi ai.
Ai shtoi se, nëse sigurohet një e treta e nënshkrimeve të nevojshme për thirrjen e Kuvendit, atëherë do të shihet nëse ekziston shumica e votave për ta rrëzuar ose jo kryetarin aktual të LDK-së.













