Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar lidhur me situatën politike në vend, ku tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, Kuvendi ende nuk është konstituar.
Ajo ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për bllokim të proceseve dhe refuzim të bashkëpunimit me partitë tjera.
Musliu thekson se vonesat në formimin e institucioneve po dëmtojnë zhvillimin dhe të ardhmen e vendit.
“Kosova nuk ka nevojë për një tribunë. Ka nevojë për udhëheqje që ndan pushtetin, ndërton ura dhe e vendos shtetin para egos. As si politikbërës, as si qytetarë, nuk duhet të rrimë duarkryq përballë një njeriu që po shkatërron çdo mundësi për zhvillim, paqe dhe integrim. Të zgjohemi dhe ta nxjerrim Kosovën nga KURTHI I KURTHIT. Sepse nuk është futur në kurth vetëm Kuvendi , është futur në kurth e ardhmja e Kosovës”, ka shkruar ajo.
Në postimin e saj në rrjete sociale, Musliu ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet debati politik, duke e quajtur Kuvendin një “skenë teatri” ku opozita flet në konferenca, ndërsa shumica qeverisëse duartroket liderin.
“PDK, LDK, AAK me konferenca për shtyp në njërën anë; Vetëvendosje, Alternativa dhe Guxo, si duartrokitës të verbër të liderit suprem, në anën tjetër. Nuk ka më debat të vërtetë politik. Ka vetëm monolog.”
Ajo thekson se vendimmarrja po zëvendësohet me improvizime dhe përgjegjësia me arrogancë.
“Në vend të transparencës dhe vendimmarrjes, kemi improvizim. Në vend të përgjegjësisë, kemi tallje me besimin e qytetarëve. Në vend të dialogut, kemi arrogancë dhe përçarje.”
Musliu i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë pasivë, por të reagojnë përmes aktivizmit të përditshëm.
“Aktivizmi qytetar nuk matet me votë njëherë në katër vjet. As vetëm me konferenca për shtyp njëherë në javë. Matet me zë, qëndrim, veprim dhe reagim të vazhdueshëm. Nëse nuk veprojmë sot, nesër do të jetë vonë!”, ka shkruar ajo në Facebook.