Një zyrtar i Komunës së Kllokotit është ndaluar nga autoritetet pas dyshimeve se ka përfituar paga shtetërore për rreth shtatë vjet pa u paraqitur fare në vendin e punës.
Sipas hetimeve të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari me iniciale S.S., në cilësinë e zyrtarit për kulturë, rini dhe sport dhe menaxher i bibliotekës, dyshohet se nga viti 2019 deri në mars 2026 ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme paga mujore nga buxheti i shtetit.
Autoritetet thonë se gjatë kësaj periudhe ai nuk është paraqitur në punë dhe nuk ka ushtruar asnjë detyrë zyrtare, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej mbi 39 mijë euro.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit janë duke u zhvilluar hetime, ndërsa pritet që brenda afateve ligjore të kërkohet masa e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Rasti po trajtohet me prioritet nga organet e drejtësisë dhe hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me njësitë përkatëse.













