Për të 17-në natë me radhë, mijëra shqiptarë janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbeu”, për të protestuar kundër vendimit dënues të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pasi që kanë qëndruar për gjysmë ore në shesh, me ftesë të organizatorit të protestës, Çlirim Haziri, ata janë nisur për te Ministria e Drejtësisë, për t’ia bërë të qarta edhe kësaj ministrie kërkesat e tyre.
Protestuesit po kërkojnë, ndër të tjera, votimin e Projektligjit për Dhomat e Specializuara, i cili është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Që nga 16 shtatori, dita kur Specialja dënoi krerët e UÇK-së, shqiptarët janë duke protestuar për çdo ditë në Prishtinë.
Përveç në Kosovë, protestat janë shtrirë edhe në vende të tjera të botës, si në shtetet e Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Australi.
Specialja dënoi me 25 vjet burgim Hashim Thaçin, po me 25 Jakup Krasniqin, me 18 Kadri Veselin dhe me 13 Rexhep Selimin.














