Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim konsultativ me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, në kuadër të përpjekjeve për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Takimi u mbajt në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili obligon deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve.
“Presidentja Osmani theksoi se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe potencoi rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit, në interes të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, të shtunën pritet të mbahet seanca e 49-të për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka dështuar 48 herë të sigurojë votat e nevojshme për zgjedhjen e kandidates së saj, Albulena Haxhiu, në këtë pozitë.