Në Xhaminë “Shaban Jashari” në Skenderaj është mbajtur sot një tribunë përkujtimore me temën “Sakrifica që ndërton historinë”, në kuadër të aktiviteteve gjatë muajit të Ramazanit.
I ftuar për ligjërim ishte Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti. Ai foli për domethënien e sakrificës, besimit dhe qëndrueshmërisë, duke marrë si shembull Betejën e Bedrit.
Në fjalën e tij, Sahiti e lidhi këtë mesazh edhe me datat 5, 6 dhe 7 mars, që përkujtojnë sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë e vendit.
Pas ligjëratës u bë edhe duaja e hatmes. Në këtë rast u lut që shpërblimi i leximit të Kur’anit, i bërë nga imamët e komunës së Skenderajt, t’u dedikohet të rënëve për liri dhe dëshmorëve të familjes Jashari.
Postimi:
Sot, në këtë ditë të bekuar të muajit Ramazan, në Xhaminë “Shaban Jashari” në Skenderaj u mbajt tribunë përkujtimore me temën “Sakrifica që ndërton historinë”.
I ftuar për ligjërim ishte Kryeimami i BIRK-ut, Vedat ef. Sahiti, i cili në fjalën e tij ndaloi tek urtësitë e Betejës së Bedrit, duke theksuar domethënien e sakrificës, besimit dhe qëndrueshmërisë që çojnë drejt fitores. Ai e ndërlidhi këtë mesazh me 5, 6 dhe 7 marsin, ditët e sakrificës së familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që bënë të mundur që sot ne të frymojmë të lirë dhe të gëzojmë shtetin tonë.
Pas ligjëratës u bë edhe duaja e hatmes, ku u lutëm që shpërblimi i leximit të Kur’anit (që është bërë nga Imamët e Komunës sonë) t’u dhurohet shpirtrave të të rënëve për liri dhe dëshmorëve të familjes Jashari.
Lusim Allahun e Madhëruar ta pranojë këtë vepër dhe t’i mëshirojë dëshmorët tanë, ndërsa Xheneti qoftë vendtakimi ynë me ta në botën tjetër.
















