Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK) ka thirrur një protestë me datën 7 gusht.
Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” tha se ideja e kësaj proteste ka ardhur pas padrejtësive që po iu bëhen ish-krerëve të UÇK-së gjatë procesit në Hagë.
Syla potencoi se kanë menduar të dërgojnë një mesazh edhe tek Bashkësia Ndërkombëtare se bashkëluftëtarët që gjenden sot në Hagë nuk janë vetëm.
“Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK) në fakt ka thirr për një protestë. Ideja po dihet tashmë, padrejtësia që po ndodh me bashkëluftëtarët tanë që gjenden në Hagë, i tërë procesi. Ne këto shqetësime nuk i kemi marrë kohëve të fundit por kemi qenë kundër që kur është themelu Gjykata sepse e kemi dit që nuk ka ‘me provu me nxjerr drejtësi por ka me provu me nxjerrr diçka tjetër që nuk i duhet vendit tonë, kombit tonë shqiptar.Në vazhdën e aktiviteteve të OVL-UÇK sepse kemi patur edhe aktivitete të tjera, ju kemi shkruar shumë ambasadorëve shumë diplomatëve të huaj që kanë shërby në Kosovë, që kanë ndikim në politikën rajonale e globale, pastaj i kemi takuar partitë politike, shumicën prej tyre, me përjashtim të një partie me të cilën nuk kemi fare komunikim me të. Ne rrjedhojën e këtyre aktiviteteve ne e kemi paraparë se është mirë të dërgjmë një mesazh edhe tek Bashkësia Ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tanë që gjenden sot në Hagë që po gjykohen padrejtësisht nuk janë vetëm por kanë bashkëluftëtarët e tyre këtu, kanë qytetarët e vendit dhe kjo ka qenë ideja që të mblidhemi në shesh dhe të dergojmë nga këtu një mesazh se ata nuk janë vetë” tha Syla në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.