Mitrovica do të përfitojë investime në vlerë prej 5 milionë eurosh për ndërtimin e dy objekteve të reja shkollore moderne. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, së bashku me ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Hajrullah Çeku, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit për ndërtimin e Gjimnazit “Frang Bardhi” dhe Shkollës së Muzikës “Tefta Tashko”.
Sipas kryetarit Peci, ky investim paraqet një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës arsimore në qytet, duke krijuar kushte moderne për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Ai theksoi se për shumë vite procesi mësimor është zhvilluar në objekte të vjetruara, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet minimale për zhvillimin e mësimit, ndërsa ndërtimi i shkollave të reja do të ndikojë drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë së arsimit.
Kryetari Peci falënderoi ministrin Hajrullah Çeku për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme në realizimin e projekteve të rëndësishme për Mitrovicën.
“Është kënaqësi e veçantë të kontribuosh në ndërtimin e shkollës në bankat e së cilës ke kaluar kohën më të vlefshme të jetës”, u shpreh ai.
Ndërtimi i këtyre dy shkollave pritet të krijojë hapësira bashkëkohore dhe dinjitoze për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor në Mitrovicë.













