Nëntë ditë pas dorëzimit të lëndës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), përmes së cilës kontestohet kushtetutshmëria e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë vendim për ndonjë masë të përkohshme.
Në një përgjigje për Kallxo.com, Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se lënda vazhdon të jetë në shqyrtim.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
PDK-ja e ka dorëzuar kërkesën më 14 shtator, duke kërkuar interpretimin e kushtetutshmërisë së procesit të konstituimit të Kuvendit dhe vendosjen e një mase të përkohshme. Një ditë më vonë, më 15 shtator, partia ka dorëzuar në Kushtetuese edhe lëndën që lidhet me formimin e Qeverisë.
Kërkesa e PDK-së është bërë pas konstituimit të Kuvendit, proces i cili u përmbyll pa zgjedhjen e njërit prej nënkryetarëve të Kryesisë – atij që i takon grupit të dytë më të madh parlamentar, PDK-së.
Vetëm disa orë pas përfundimit të seancës konstituive, Kuvendi votoi Qeverinë Kurti 4.
Në seancën për votimin e Qeverisë nuk morën pjesë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, ndërsa të pranishëm ishin deputetët e Listës Serbe dhe të komuniteteve të tjera joshumicë.
Pas formimit të Qeverisë, procesi i mbetur për institucionet e reja është zgjedhja e presidentit të Kosovës. Ky proces duhet të përfundojë brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh, në të kundërtën vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, PDK-ja e ka lidhur kërkesën e saj për tërheqjen e lëndëve nga Gjykata Kushtetuese me mbështetjen e një nisme ligjore për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se partia do t’i tërhiqte lëndët nëse Lëvizja Vetëvendosje do të zotohej publikisht për mbështetjen e projektligjit dhe për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes së të akuzuarve në Hagë.
Deri tani, Aleanca e ka mbështetur publikisht nismën, ndërsa LVV-ja ka deklaruar se do ta shqyrtojë atë, përfshirë përputhshmërinë me kornizën ligjore në fuqi dhe ndikimin e mundshëm në procedurat në Dhomat e Specializuara. LDK-ja nuk ka dhënë ende qëndrim publik për këtë nismë.












