Një person i kërkuar nga drejtësia është arrestuar menjëherë pas mbërritjes në Kosovë, pasi ndaj tij ishin aktive pesë urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Gëzim Muratin, i cili u arrestua të hënën rreth orës 17:00, gjatë procedurave të kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Sipas burimeve, ndaj tij ishin në fuqi pesë urdhër-arreste, të lëshuara nga Departamenti për Krime të Rënda, Departamenti i Përgjithshëm – Dega në Vushtrri dhe Departamenti për të Mitur i Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Për shkak të përfundimit të orarit të punës së gjykatës, dhe pas konsultimeve me gjyqtarët e lëndëve, është vendosur që Murati të dërgohet në Qendrën e Mbajtjes në Stacionin Policor në Vushtrri, ku do të qëndrojë deri në paraqitjen para gjykatës.
Ai pritet të dalë para gjyqtarit, për procedurat e mëtejshme lidhur me urdhër-arrestet aktive ndaj tij.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













