Ish-ministri i Kosovës, Astrit Haraqija, është në mesin e personave të ndaluar në operacionin policor të koduar “Heshtja”, i cili u realizua më 14 nëntor në rajonin e Prishtinës.
Sipas burimeve të Veriu.info Haraqija dyshohet se ishte pjesë e një grupi të organizuar të trafikut të drogës.
Grupi i dyshuar kriminal, pjesë e të cilit ishte ish-ministri i Kulturës, dyshohet se trafikonte dhe shpërndante substanca të dyshuara narkotike të llojit kokainë, sipas një njoftimi të policisë të dielën.
Kush është Astrit Haraqija?
Astrit Haraqija është një figurë e njohur e skenës politike në Kosovë, i cili gjatë karrierës së tij ka mbajtur disa pozita institucionale.
Ai ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), deputet i Kuvendit dhe ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit gjatë viteve 2004–2007. Më vonë ka ushtruar edhe detyrën e zëvendësministrit të Financave.
Në korrik të vitit 2012, Haraqija dha dorëheqje nga pozita e zëvendësministrit të Financave, në kohën kur po përballej me procedura gjyqësore për dyshime lidhur me keqpërdorimin e pozitës zyrtare.
Rasti i subvencioneve për filmat
Një nga rastet gjyqësore me të cilat ishte përballur Haraqija lidhej me subvencionimin e dy projekteve filmike gjatë kohës sa ishte ministër i Kulturës.
Prokuroria pretendonte se gjatë viteve 2006 dhe 2007 ishin ndarë mjete financiare pa u respektuar procedurat përkatëse, ndërsa njëri prej filmave nuk ishte realizuar.
Në dhjetor të vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit burgim me kusht.
Megjithatë, në vitin 2017 procedura penale ndaj tij kishte përfunduar për shkak të parashkrimit të veprës penale, pa një vendim përfundimtar mbi bazueshmërinë e akuzës.
Përfshirja në rastin e vizave italiane
Haraqija ishte njëri nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Vizat Italiane”, ku së bashku me ish-deputetin Ukë Rugova dhe persona të tjerë akuzohej për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.
Sipas pretendimeve të aktakuzës, grupi dyshohej se kishte mundësuar pajisjen e qytetarëve me viza Schengen në mënyrë të kundërligjshme, përmes Ambasadës Italiane në Prishtinë dhe kundrejt përfitimeve materiale.
Më 30 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar Haraqinë nga akuzat, pasi vlerësoi se nuk ishte provuar kryerja e veprave penale. Në nëntor të vitit 2025, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin lirues.
Rasti në Tribunalin e Hagës
Haraqija ishte përballur me akuza edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY).
Në vitin 2008, ai ishte akuzuar për përbuzje të gjykatës, lidhur me pretendimet për përpjekje për të ndikuar te një dëshmitar i mbrojtur në procesin gjyqësor kundër Ramush Haradinajt.
Fillimisht ishte shpallur fajtor dhe dënuar me pesë muaj burgim, por më 23 korrik 2009, Dhoma e Apelit e Tribunalit e kishte rrëzuar vendimin e dënimit.
Hetimet për operacionin “Heshtja” vazhdojnë
Ndërkohë, në lidhje me operacionin e fundit, Haraqija dyshohet për përfshirje në një grup që dyshohet se merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në Prishtinë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë publike hollësi të plota për rolin e pretenduar të tij në këtë rast.
Hetimet po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.














