Kompania “Balkan Petrol”, ka arritur të sigurojë një numër të konsiderueshëm kontratash nga ndërmarrje të ndryshme shtetërore, një pjesë e të cilave udhëhiqen nga zyrtarë të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Vetëm gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, kjo kompani ka nënshkruar gjithsej gjashtë kontrata publike, ndërkohë që në fund të vitit paraprak, në dhjetor 2025, ishte pjesë e një kontrate të madhe në vlerë prej rreth 6 milionë eurosh, shkruan Insajderi.
Sipas dokumenteve në e-prokurim “Balkan Petrol” ka një prani të vazhdueshme në procedurat e prokurimit, veçanërisht në sektorin strategjik të energjisë.
Një nga kontratat më të fundit është ajo e datës 26 mars 2026, kur ndërmarrja publike KOSTT ka lidhur marrëveshje për furnizim me vaj izolues për transformatorë energjetikë. Kjo ndërmarrje udhëhiqet nga Trim Tërnava që është nip i ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Nga kjo kontratë, “Balkan Petrol” ka përfituar 28 mijë euro.
Vetëm një ditë më parë, ndërmarrja Trepça kishte lidhur një kontratë tjetër me këtë kompani, në vlerë prej rreth 3 mijë eurosh, për furnizim me vajra.
Po ashtu, gjatë këtij viti, Trepça i ka dhënë “Balkan Petrol” edhe dy kontrata të tjera, një në vlerë mbi 100 mijë euro për furnizim me sfera çeliku dhe një tjetër prej rreth 10 mijë euro për furnizim me vajra industrialë.

Ndërkohë, përfitimet e kësaj kompanie nga tenderët nuk janë të kufizuara vetëm në vitin 2026. Gjatë vitit 2025, “Balkan Petrol” ka qenë përfituese e dhjetëra kontratave.
Në mesin e tyre një kontratë e majme në vlerë prej rreth 6.7 milionë euro nga KOSTT, në kuadër të një grupi operatorësh ekonomikë. Përveç kësaj, kompania ka lidhur kontrata me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në vlerë mbi 269 mijë euro, si dhe me Trepçën në vlerë rreth 279 mijë euro.
Përveç kontratave të mëdha, “Balkan Petrol” ka siguruar edhe një sërë kontratash më të vogla për furnizime të ndryshme në ndërmarrje.
Ballkan Petrol dhe lidhja familjare me deputetin e VV-së, Enver Haliti
Në regjistrin e bizneseve, si pronarë të kompanisë nga Ferizaj, Ballkan Petrol, figurojnë: Imri, Zenel dhe Bekim Haliti.

Të njëjtit janë familjarë të deputetit të VV-së, Enver Haliti, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të Ferizajt.
Madje, në vitin 2025, Kurti së bashku me Halitin kishin vizituar kompaninë në fjalë.
Kurti nga aty kishte premtuar se, nëse Haliti zgjidhet kryetar, kompani të tilla do të kenë mbështetjen e tij.
“Me kryetarin e ardhshëm të Ferizajt, Enver Haliti, i vizituam mjediset e tyre të punës. Enveri e kupton shumë mirë që prodhimi është shtylla e zhvillimit ekonomik dhe e di edhe më mirë që Ferizaj e ka të gjithë potencialin për të qenë kryeqendër ekonomike rajonale. Me qeverisjen e tij, kompanitë prodhuese do të jenë në qendër të politikave mbështetëse, dhe me të kryetar të komunës, Ferizaj do të jetë kryeqendra ekonomike e rajonit“, kishte shkruar kryeministri.














