Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një oficeri korrektues të Qendrës Korrektuese në Dubravë, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur nga Departamenti për Krime të Rënda ndaj të pandehurit me inicialet D.Q., i cili dyshohet se, në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria.
Prokuroria thotë se ryshfeti dyshohet të jetë marrë me qëllim që zyrtari të vepronte në përputhje me detyrën e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash.
Sipas organit të akuzës, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.
Po ashtu, Prokurori i Shtetit ka kërkuar që, përveç dënimit penal, gjykata t’i shqiptojë të pandehurit edhe dënimin plotësues “ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.














