Sot është dita e fundit e afatit që Zyra e Rregullatorit të Energjisë u ka dhënë bizneseve të nënshkruajnë kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar nga ZRrE.
Të gjitha bizneset që nuk e kanë siguruar këtë kontratë, do mbesin pa energji elektrike.
Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për GazetaBlic, ka reaguar njohësi i ekonomisë Arton Muhaxheri, i cili thotë se bizneset nuk janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por e kundërshtojnë mënyrën si po zbatohet ky proces.
“Fillimisht duhet të bëhet e qartë për opinionin publik se asnjë biznes nuk është kundër liberalizimit të tregut të energjisë. Përkundrazi, bizneset janë të vetëdijshme se ky është një proces qe duhet te ndodhë. Por, ajo që kundërshtohet me të drejtë është mënyra se si po implementohet ky proces: me nguti, pa transparencë dhe pa faza tranzicionale që do të siguronin kalim të qetë dhe të drejtë në tregun e lirë”, tha ai.
Ai paralajmëron se shkyçja e bizneseve nga rrjeti elektrik do të kishte pasoja serioze, jo vetëm për kompanitë individuale, por për gjithë ekonominë e vendit.
“Në anën tjetër, shkyçja eventuale nga rrjeti elektrik e të gjitha bizneseve që nuk kanë kontrata për furnizim në tregun e ashtuquajtur “të lirë” të energjisë, nuk është thjesht problem vetem për ato kompani. Një masë e tillë jo vetëm që do t’i kolapsonte bizneset si subjekte ekonomike, por do të rrënonte zinxhirin e prodhimit, do të dëmtonte punësimin dhe përfundimisht do të godiste rëndë gjithë ekonominë e Kosovës”, u shpreh tutje.
Muhaxheri i bën thirrje institucioneve që të marrin përgjegjësi për dizajnin e tregut të energjisë dhe të shmangin masat drastike si shkyçja.
“Institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi për dizajnin e një tregu të cilin vetë bizneset nuk e kanë mundësi ta funksionalizojnë, dhe në vend të masave drastike si shkyçja, duhej të sigurohej një plan tranzicioni i drejtë dhe i qëndrueshëm, ku interesat e bizneseve dhe ekonomisë kombëtare vendosen mbi formalizmat burokratike”, përfundoi ai për GazetaBlic.