Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur strukturën e re drejtuese me kryetar Zenun Krasniqin, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Besimin e anëtarëve e mori Krasniqi i cili pritet t’i prijë këtij unioni në një periudhë të re zhvillimi dhe zgjerimi në komunitetin e biznesit në Gjermani.
Përbërja e re drejtuese përfshin: Afrim Osmanaj – Nënkryetar, Faton Shehu – Nënkryetar, Irfan Purçuku – Sekretar i Përgjithshëm, Shkëndije Pacolli – Anëtare, Burim Kuraja – Anëtar, Irfan Tërnava – Anëtar.
Në adresimin e tij të parë si kryetar, Krasniqi falënderoi anëtarësinë për mbështetjen dhe paralajmëroi një qasje dinamike, të fokusuar në afrimin e bizneseve, krijimin e partneriteteve të reja dhe zgjerimin e hapësirës për sipërmarrësit shqiptarë në tregun gjerman.
“Do të punojmë për ta bërë Unionin një adresë edhe më të fuqishme të bashkëpunimit ekonomik, rrjetëzimit të bizneseve dhe mbështetjes së sipërmarrësve shqiptarë në Gjermani dhe më gjerë”, deklaroi Krasniqi.
Kryesia e re pritet të intensifikojë aktivitetet që lidhen me promovimin e investimeve, lidhjen e kompanive shqiptare me tregun gjerman dhe ndërtimin e urave të reja ekonomike mes dy vendeve.
Prej vitesh, Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane konsiderohet një nga organizimet më me ndikim të biznesit shqiptar në diasporë, duke luajtur rol të rëndësishëm në përfaqësimin dhe avancimin e interesave të sipërmarrësve shqiptarë në Gjermani.


















