Që nga ndryshimi i formatit dhe emërtimit të turneut në UEFA Champions League, asnjë klub nuk ka mundur të fitojë dy tituj radhazi, përveç gjigantit spanjoll. Real Madridi e dominoi futbollin evropian duke ngritur trofeun për tre sezone rresht mes viteve 2016 dhe 2018, duke vendosur një standard që deri më sot ka mbetur i paprekur, transmeton GazetaBlic Sport.
Tani, PSG ka shansin të hyjë në këtë kapitull të veçantë të historisë. Pas triumfit të sezonit të kaluar, parizienët janë vetëm 90 minuta larg mbrojtjes së kurorës evropiane dhe barazimit të një rekordi që për vite me radhë ka qenë pronë ekskluzive e klubit madrilen.
Rruga drejt finales nuk ka qenë e lehtë për kampionët francezë, të cilët kanë treguar pjekuri, cilësi dhe karakter gjatë gjithë sezonit. Megjithatë, përballë tyre qëndron Arsenali, një skuadër e vendosur për të fituar trofeun e parë të Champions League në historinë e klubit dhe për të prishur festën e PSG-së.
Pikërisht për këtë arsye, finalja e sotme mbart një peshë të veçantë. Nuk bëhet fjalë vetëm për një trofe tjetër evropian, por për mundësinë që PSG të shkruajë emrin e saj mes ekipeve më të mëdha të historisë së kompeticionit.
Nëse francezët arrijnë të triumfojnë, ata do t’i bashkohen Real Madridit si skuadra e vetme që ka fituar titullin e UEFA Champions League në dy sezone radhazi. Një sukses i tillë do të konfirmonte dominimin e PSG-së në skenën evropiane dhe do ta vendoste klubin në një nivel krejtësisht të ri historik.













