Ministria e Infrastrukturës ka rekomanduar kompanitë fituese të tenderit “Zgjerimi i rrugës Nacionale N 9, Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc – Zahaq”. Në lotin 2, u shpërblyen edhe kompani të afërta me VV-në dhe një kompani që ishte e dënuar nga Gjykata. Lidhur me këtë procedurë të prokurimit janë dorëzuar ankesa në OSHP, ku janë ngritur dyshime për shkelje të mëdha.
Procedura e prokurimit “Zgjerimi i rrugës Nacionale N 9, Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc – Zahaq”, nuk po i shkon mbarë Ministrisë së Infrastrukturës.
Në Gjykatën e Tenderëve janë dorëzuar disa ankesa, procedura ka shkuar edhe në pezullime.
Me datën 18.04.2025, në Lotin 2, fitues u shpallë konzorciumi i përbërë nga kompanitë: “Kosova Asfalt SHPK&El-Bau SHPK&Gërlica Company SHPK&Avag Group SHPK&Asfalt Corp SHPK&Udha SHPK”.

Vlera e kontratës është 9 milionë e 244 mijë euro.
Kujt ia besoi Ministria e Infrastrukturës kontratën prej 9 milionë euro?
Ministria e Liburn Aliut, ka rekomanduar kompanitë “Kosova asfalt SHPK&El-Bau SHPK&Gërlica Company SHPK&Avag Group SHPK&Asfalt Corp SHPK&Udha SHPK” për Lotin 2.
Emri i këtyre kompanive fituese janë të njohura për publikun.
Kompania “Kosova Asfalt”, që në ARBK figuron se është në pronësi të Valdrin Shabanit, djalit të Bujar Shabanit, ka fituar në këtë tender
Shabani që është pronar i kompanisë ”Bageri”, është mik i afërt i zv/ministri Hysen Durmishi. Këtë e ka konfirmuar edhe vet Durmishi, duke thënë se me të ka shoqëri që nga viti 2001.
Kompania tjetër El Bau në pronësi ka afaristin Fatlum Pireva të afërt me pushtetin e VV’së. Si dhe firma “AVAG” e cila është në pronësi të punëtorit të firmës tjetër përfituese të tenderit, kompanisë “El-Bau” të Fatlum Pirevës.
Hise në këtë kontratë ka edhe ““Gërlica Company” me pronar Mifail Vogliqi.
Mifail Vogliqi, ku ndaj këtij figuron aktgjykimi i formës së prerë nga Gjykata Themelore në Gjilan, ku i njëjti ishte shpallur fajtor nën cilësinë e pronarit të “Gërlica Company” për veprën penale mashtrim.
Sipas gjykatës, Vogliqi me vetëdije të plotë kishte shkelur rregullat e Ligjit për Prokurim Publik, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit dhe ndikim tek autoriteti kontraktues, në atë mënyrë që ka paraqitur dokumente të rreme e që me këto veprime ka kryer veprën penale keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik dhe është dënuar.
Por, për këtë tender, Ministrisë i ka dal punë edhe në OSHP, pasi janë dorëzuar disa ankesa.
Cilat janë ankesat e kompanive ndaj Ministrisë së Infrastrukturës?
Sipas një kompanie ky dikaster ka kryer shkelje të afateve për vlerësim të ofertave.
Sipas kompanisë ankuese hapja e ofertave është bërë me dt.10.10.2024 ndërsa njoftimi mbi vendimin B58 është publikuar me dt.18.04.2025, e që do të thotë se vlerësimi i ofertave ka zgjat mbi 6 muaj pra mbi 180 ditë, edhe pse afati për vlerësim të ofertave është 30 ditë, e ku mund të zgjatet në raste të jashtëzakonshme edhe për 20 ditë. Neni 40.3 i RRPP Nr.001/2022 .
Ndërsa për fituesit e LOT 2, një tjetër ofertues është ankuar se është i papërgjegjshëm dhe se nga ministria nuk i janë dhënë të gjitha dokumentet për këtë kontratë.
Sipas ankesës minstria nuk ka dhënë arsye bindëse se pse këto dokumente janë cilësuar si sekret afarist.
“Pasi që nuk na janë dhënë të gjitha dokumentet e OE të lartcekur ju sqarojmë se AK-së nuk ka
respektuar nenin 10 të LPP-së duke mos na lejuar qasje në dokumentet e OE të rekomanduar për
kontratë, ndërsa ne jemi të detyruar të parashtrojmë pretendime mbi bazën e dyshimeve. OE i rekomanduar për kontratë nuk ka dhënë arsye bindëse se përse duhet të cilësohen sekret afarist dokumentet e tij, e po ashtu nuk ka arsyetuar se qasja publike në këto dokumente do të rezultonte në dëmtimin material të interesave legjitime komerciale të operatorit ekonomik, prandaj nuk janë përmbushur kushtet e përcaktuara në nenin 11.3 të LPP-së”, thuhet në ankesë.
Tutje, aty theksohet se konsorciumet e rekomanduar për kontratë nuk kanë ofruar dëshmitë sipas kërkesës, nuk kanë ofruar deklarata tatimore dhe në vlerën e kërkuar.
Edhe një operator tjetër është ankuar për shkelje si: Ekonomiciteti dhe Efikasitet, Barazia në Trajtim/ Jo-Diskriminimi –par.Informatat Sekrete Afariste–par. Ekzaminimi, Vlerësimi dhe Krahasimi i Tenderëve. /Insajderi.org/
