Njohësi i rrethanave politike, Afrim Kasolli, tha për RTV21 se Lëvizja Vetëvendosje nuk duket e gatshme ta mbështesë Vjosa Osmanin për presidente.
Ai tha se Kurti, ndryshe nga viti 2021 kur Osmani ishte e padiskutueshme për këtë post, ka hapur diskutimet me subjektet e tjera politike për çështjen e presidentit. Sipas tij, subjektet politike deri më tani nuk kanë dhënë sinjale se do ta tejkalojnë ngërçin për zgjedhjen e presidentit të ri dhe rrjedhimisht Kosova “po shkon drejt zgjedhjeve të reja”.
“E tëra do të varet se cilat do të jenë kalkulimet e partisë fituese për shkak të detyrimeve që ka qeveria në raport me agjendat ndërkombëtare. Albin Kurti pavarësisht narracionit të brendshëm që përdor ai është më se i vetëdijshëm që asnjë milimetër nuk mund të lëvizë në avancimin ndërkombëtar të Kosovës pa përmbushur zotimet që ka marr vet në Bruksel dhe pavarësisht deklarimeve të brendshme, ato zotime janë kafshatë e madhe për çdo subjekt politik që të nisë zbatimin e tyre me theks të veçantë asociacioni që ka polarizu ekstremisht skenën politike në vend. Andaj nëse Albin Kurti vendosë që t’i përmbushë zotimet që mori në Bruksel më shumë do t’i konvenonte një president me sfond heroik apo patriotik sesa Vjosa Osmani. Me Osmanin nuk ka pasur telashe sa i përket menaxhimit të brendshëm të jetës politike institucionale por duket se e ka ndjerë një lloj rivaliteti sidomos sa i përket performancës ndërkombëtare. Kurti një kohë të gjatë për shkak të këtyre temave ka qenë i izoluar ndërkombëtarisht, mirëpo Vjosa e ka shfrytëzuar këtë performancën e saj diplomatike e që sipas gjitha gjasave LVV nuk është ndjerë mirë me këtë mesazh.
Kasolli shtoi se emërimi i Konjufcës si ministër i jashtëm nuk ka ndodhur rastësisht.
“Nuk është rastësi që ministër i punëve të jashtme është emëruar njëri prej njerëzve më besnik të Kurtit dhe duket se Kurti dëshiron ta zotërojë edhe këtë serë dhe të mos ketë rivalitet në arenën ndërkombëtare.













