Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Agim Veliu, ka reaguar pasi që s’është përfshirë në listën zgjedhore të këtij subjekti politik.
Veliu me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se po e sheh një “padrejtësi të pashembullt” në LDK.
Postimi i Agim Veliu:
Të dashur qëndrestarë, anëtarë e simpatizantë!
Dua të falënderoj me respekt të gjithë ata qytetarë, aktivistë dhe anëtarë të partisë që kanë kërkuar me zë të lartë përfshirjen time në listën e kandidatëve, me qëllim të fuqizimit dhe unifikimit të degës në Podujevë dhe LDK-së në tërësi.
Edhe pse nuk kam humbur asnjë garë në jetën time politike, sot po shoh një padrejtësi të pashembullt brenda vetë partisë sime.
Përjashtimi im nga lista e kandidatëve nuk është vendim politik! Është manovër e ulët, e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që e kanë harruar kush e ka mbajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës fituese për vite me radhë.
Unë nuk jam bërë barrë për askënd, por duket se dikush është trembur nga fuqia ime elektorale dhe integriteti që e kam dëshmuar me punë e me votë, e jo me pazaret e zyrave të mbyllura! Ky vendim nuk më nëpërkëmb mua por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur.
Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare.
Transparenca dhe drejtësia do të kërkohen deri në fund.
Ky është vetëm fillimi..













